Neni 453 - Shqyrtimi i kërkesës nga Gjykata e Lartë

(Ndryshuar me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)

1. Kërkesa e rishikimit shqyrtohet nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në dhomën e këshillimit, pa praninë e palëve.

2. Kur kërkesa është bërë jashtë rasteve të përcaktuara në nenin 450 ose kur është bërë nga ata që nuk e kanë këtë të drejtë ose kur rezulton haptazi e pambështetur, Kolegji Penal vendos mospranimin e saj.

3. Kur kërkesa pranohet, Kolegji Penal vendos prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rigjykim nga një tjetër trup gjykues në gjykatën e shkallës së parë që ka dhënë vendimin ose në gjykatën e apelit, kur kërkesa është bërë vetëm kundër vendimit të saj. Vendimi është i formës së prerë.