A. Krijimi

  • Neni 176 - Organizata profesionale
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8085, datë 13.03.1996)
    (Ndryshuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)

    1. Sindikatat dhe organizatat e punëdhënësve janë organizata profesionale. Organizatat profesionale të punëmarrësve dhe të punëdhënësve janë organizata shoqërore, të pavarura, që krijohen si bashkime vullnetare të punëmarrësve ose punëdhënësve, qëllimi i të cilave është përfaqësimi dhe mbrojtja e të drejtave dhe interesave ekonomikë, profesionalë dhe shoqërorë të anëtarëve të tyre.

    2. Organizatat e punëmarrësve dhe të punëdhënësve kanë të drejtë të krijojnë federata e konfederata dhe të anëtarësohen në to. Federata krijohet nga bashkimi vullnetar i dy ose më shumë organizatave profesionale. Konfederata krijohet nga bashkimi vullnetar i dy ose më shumë federatave. Çdo organizatë, federatë ose konfederatë ka të drejtë të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare punëmarrësish ose punëdhënësish.

    3. Në kuptim të kësaj dispozite, pensionistët dhe të papunët mund të anëtarësohen në organizatat e punëmarrësve.

  • Neni 177 - Statuti
  • (Ndryshuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)

    1. Akti i krijimit dhe statuti i çdo organizate profesionale duhet të nënshkruhen nga jo më pak se 5 anëtarë themelues për organizatën e punëdhënësve dhe jo më pak se 20 anëtarë themelues për organizatën e punëmarrësve.

    2. Në statut detyrimisht duhet të përcaktohen:
    a. emri i organizatës;
    b. vendi ku ndodhet selia e saj;
    c. qëllimet e saj;
    d. kushtet e pranimit, të dorëheqjes dhe të përjashtimit të anëtarëve;
    e. të drejtat dhe detyrat e anëtarëve;
    f. përbërja dhe funksionimi i organeve drejtuese, si dhe kohëzgjatja e mandateve;
    g. sipas rastit, përkatësia në federatë ose në konfederatë;
    h. masat që merren në rast shpërndarje.

    3. Shuma e kuotizacionit për anëtarësinë caktohet nga organi më i lartë i organizatës.

  • Neni 178 - Fitimi i personalitetit juridik
  • (Ndryshuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)

    1. Organizatat sindikale, federatat dhe konfederatat duhet të dorëzojnë aktin e krijimit dhe statutin e tyre në Gjykatën e Tiranës për njohjen e tyre si person juridik.

    2. Organizata sindikale fiton personalitet juridik pas 60 ditëve nga dorëzimi i statutit në Gjykatën e Tiranës, me përjashtim të rasteve kur gjykata jep vendim të kundërt.

  • Neni 179 - Emri
  • Asnjë organizatë sindikale nuk mund të ketë emrin e një organizate ekzistuese.

  • Neni 180 - Depozitimi i statutit
  • Çdo organizatë sindikale duhet të depozitojë një kopje të statutit të saj pranë Ministrisë së Punës.