E drejta e grevës

  • Neni 197 - Të përgjithshme
  • (Ndryshuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)

    1. E drejta e grevës garantohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

    2. Sindikatat kanë të drejtë të ushtrojnë të drejtën e grevës për zgjidhjen e kërkesave të tyre ekonomike dhe shoqërore, në përputhje me rregullat e caktuara në këtë Kod.

    3. Pjesëmarrja në grevë është vullnetare. Askush nuk mund të detyrohet të marrë pjesë në një grevë kundër dëshirës së vet.

    4. Ndalohet çdo veprim që përfshin shtrëngim, cenim ose diskriminim ndaj punëmarrësve, për shkak të pjesëmarrjes ose jo në grevë.

    5. Gjatë zhvillimit të grevës, palët duhet të bëjnë përpjekje, nëpërmjet bisedimeve, për arritjen e mirëkuptimit dhe nënshkrimin e marrëveshjes.

  • Neni 197/1 - Subjekti i të drejtës së grevës
  • (Shtuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)

    Vetëm sindikatat kanë të drejtë të organizojnë grevën dhe ta shpallin atë.

  • Neni 197/10 - Përfundimi i grevës
  • (Shtuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)

    Greva përfundon kur palët arrijnë një marrëveshje ose kur sindikata, që e ka shpallur atë, vendos ndërprerjen e saj.

  • Neni 197/2 - Mbrojtja e të drejtës për punë dhe e të drejtës për grevë
  • (Shtuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)

    1. Nuk lejohet përdorimi i forcës për ndërprerjen e grevës së ligjshme të punonjësve.

    2. Organizatat e punëmarrësve mund të ndërmarrin veprime me mjete paqësore, që të bindin punonjësit, për të marrë pjesë në grevë, pa shkelur të drejtën për të punuar të punonjësve që nuk marrin pjesë në të.

    3. Punëdhënësi ndalohet që gjatë zhvillimit të grevës të zëvendësojë në punë grevistët me persona të tjerë, të cilët në kohën e shpalljes së grevës nuk kanë qenë punonjës të tij, si dhe nuk lejohet të marrë punonjës të rinj pas kësaj date.

  • Neni 197/3 - Ligjshmëria e grevës
  • (shtuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)

    Kushtet e përgjithshme Greva është e ligjshme kur plotësohen kushtet e mëposhtme:

    1. Organizohet nga një sindikatë, që gëzon personalitet juridik ose aderon në një organizatë punëmarrësish me personalitet të tillë.

    2. Ka për qëllim të arrijë nënshkrimin e një kontrate kolektive pune ose, nëse ekziston një e tillë, plotësimin e kërkesave që burojnë nga marrëdhëniet e punës dhe që nuk rregullohen nga kjo kontratë, përveç rasteve kur kjo e fundit parashikon detyrimin tërësor të paqes, të parashikuar në nenin 169 pika 2.

    3. Sindikata ose sindikatat, nga njëra anë, dhe organizata ose organizatat e punëdhënësve, nga ana tjetër, janë përpjekur të bien dakord, duke iu nënshtruar procedurës së ndërmjetësimit dhe pajtimit.

    4. Nuk është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

  • Neni 197/4 - Gjendjet e veçanta
  • (Shtuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)

    1. Greva nuk mund të ushtrohet ose, kur ka filluar, të pezullohet në gjendje të veçanta, për aq kohë sa vazhdon kjo gjendje.

    2. Janë gjendje të veçanta:
    a. fatkeqësitë natyrore;
    b. gjendja e luftës;
    c. gjendja e jashtëzakonshme;
    ç. rastet kur vihet në rrezik liria e zgjedhjeve.

  • Neni 197/5 - Shërbimet e rëndësisë jetike
  • (Shtuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)

    1. Greva nuk mund të ushtrohet në shërbimet e rëndësisë jetike, ku ndërprerja e punës rrezikon jetën, sigurinë personale ose shëndetin e një pjese ose të tërë popullsisë. Në këtë rast, konfliktet kolektive zgjidhen në mënyrë përfundimtare dhe të detyrueshme, sipas nenit 196 të këtij Kodi.

    2. Janë shërbime të rëndësisë jetike:
    a. shërbimet e domosdoshme mjekësore dhe spitalore;
    b. shërbimet e furnizimit me ujë;
    c. shërbimet e furnizimit me energji elektrike;
    ç. shërbimet e kontrollit të trafikut ajror;
    d. shërbimet e mbrojtjes kundër zjarrit;
    dh. shërbimet në burgje.

  • Neni 197/6 - Shërbimet minimale
  • (Shtuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)

    1. Greva nuk mund të ushtrohet nëse nuk sigurohet kryerja e shërbimit minimal.

    2. Shërbimet minimale mund të kërkohen në sektorët e shërbimeve, për plotësimin e nevojave të rëndësisë themelore të popullsisë, me qëllim që asaj t’i sigurohet plotësimi i këtyre nevojave.

    3. Për plotësimin e shërbimeve minimale, sindikatat duhet të përcaktojnë dhe të sigurojnë, gjatë zhvillimit të grevës, punonjësit e nevojshëm për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e makinerive dhe të pajisjeve.

    4. Punonjësit e përmendur në pikën 3 caktohen me marrëveshje ndërmjet punëdhënësit dhe sindikatës ose sindikatave përkatëse të punëmarrësve. Kur palët nuk arrijnë të merren vesh për numrin dhe detyrat e punonjësve përkatës për sigurimin e shërbimeve minimale, mosmarrëveshja zgjidhet detyrimisht dhe përfundimisht nga një arbitër i caktuar nga Ministri i Punës dhe i Çështjeve Sociale ose organi administrativ i autorizuar prej tij, në këshillim me palët. Arbitri duhet të vendosë brenda 24 orëve nga çasti i caktimit të tij.

  • Neni 197/7 - Greva e solidaritetit
  • (Shtuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)

    Greva e solidaritetit është e ligjshme nëse ajo mbështet një grevë të ligjshme kundër një punëdhënësi, në ndihmë të të cilit punëdhënësi i grevistëve solidarë jep mbështetje aktive për të ndaluar ose përfunduar grevën.

  • Neni 197/8 - Efektet e grevës
  • (Shtuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)

    Efektet e grevës së ligjshme 1. Gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet dhe të drejtat, që rrjedhin nga kontrata e punës, duke përfshirë të drejtën e pagës dhe detyrimin e bindjes në punë.

    2. Dispozitat e pikës 1 nuk prekin të drejtat e parashikuara me ligj për përkujdesin shoqëror, aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale.

    3. Periudha e pezullimit nuk prek vjetërsinë në punë dhe efektet e saj.

    4. Pushimi nga puna për shkak të një greve të ligjshme është i pavlefshëm.

    Kjo dispozitë nuk zbatohet kur punëmarrësi, gjatë grevës, kryen një akt që bie në kundërshtim me ligjin.

  • Neni 197/9 - Efektet e grevës së paligjshme
  • (Shtuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)

    1. Kur greva nuk është e ligjshme, punëdhënësi mund të ndërpresë marrëdhëniet e punës me grevistët. Ai ka të drejtë që ndaj punëmarrësve që nuk rifillojnë punën brenda tre ditëve, të zgjidhë kontratën e punës me efekt të menjëhershëm, si dhe t’u kërkojë atyre shlyerjen e dëmit të shkaktuar. Në këtë rast nuk zbatohen dispozitat për procedurat e pushimit nga puna.

    2. Kërkesa për dëmshpërblim mund të drejtohet edhe kundër sindikatës që organizon grevën.

    3. Kur greva shoqërohet me veprime të paligjshme, palët i drejtohen gjykatës, e cila përcakton përgjegjësitë e palëve, veprimet që ato duhet të kryejnë, cakton dëmin e shkaktuar dhe detyrimet e palës që duhet të zhdëmtojë.

    4. Nëse rrethanat e lejojnë, gjykata mund të vendosë rifillimin e punës.