Krijimi i shoqatave

  • Neni 39
  • (Ndryshuar me ligjin nr. 8781, datë 3.5.2001, neni 1)

    Shoqata është person juridik që krijohet me vullnetin e lirë të pesë ose më shumë personave fizikë ose jo më pak se dy personave juridikë që ndjekin një qëllim të caktuar, të ligjshëm, në të mirë dhe në interes të publikut ose të anëtarëve të saj.

  • Neni 39/1
  • (Shtuar me ligjin nr. 8781, datë 3.5.2001 neni 2)

    Shoqata ka të drejtë të ketë në pronësi pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, të realizojë të ardhura nëpërmjet administrimit të këtyre pasurive, si dhe ushtrimit të veprimtarive të tjera, në përputhje me ligjin dhe me qëllimin e objektin e veprimtarisë së shoqatës, të parashikuar në statutin e saj.
    Të ardhurat e realizuara nga shoqata duhet të përdoren vetëm për realizimin e veprimtarive që parashikohen në qëllimin dhe objektin e veprimtarisë së parashikuar në statutin e saj.
    Nuk lejohet që shoqata të kryejë veprimtari fitimprurëse.

  • Neni 40
  • (Ndryshuar me ligjin nr. 8781, datë 3.5.2001, neni 3)

    Akti për krijimin e shoqatës, me kërkesë të themeluesve të saj, regjistrohet në gjykatë.
    Rregullat për organizimin e funksionimin e shoqatës përcaktohen në statutin e saj, i cili duhet të hartohet me shkrim dhe të përmbajë sidomos:
    a) emrin dhe qëllimin e shoqatës, qëndrën e saj dhe territorin në të cilin do të zhvillojë veprimtarinë e vet;
    b) kushtet e pranimit dhe të largimit të anëtarëve, si dhe të drejtat dhe detyrat e tyre;
    c) organet drejtuese të shoqatës, mënyrën e formimit dhe kompetencat e tyre;
    ç) afatet, mënyrën e thirrjes dhe kompetencat e mbledhjeve të përgjithshme dhe të delegatëve;
    d) burimin e mjeteve materiale të saj, si dhe kontributet apo kuotat që duhet të japë çdo anëtar;
    dh) mënyrën e ndryshimit të statutit dhe të mbarimit të shoqatës.

  • Neni 41
  • (Ndryshuar paragrafi i parë me ligjin nr. 8781, datë 3.5.2001, neni 4)

    Shoqata themelohet nga mbledhja e themeluesve, në të cilën miratohet statuti dhe zgjidhen organet drejtuese të saj. Shoqata, me kërkesën e saj, regjistrohet në gjykatë sipas mënyrës së parashikuar në ligj.
    Gjykata kontrollon pajtueshmërinë e statutit me ligjin.

  • Neni 42
  • (Ndryshuar me ligjin nr. 8781, datë 3.5.2001, neni 5)

    Shoqata fiton cilësinë e personit juridik nga dita e regjistrimit të saj në gjykatë. Deri në ditën e regjistrimit, themeluesit e shoqatës mund të kryejnë veprimet që janë të nevojshme për themelimin dhe përmbushjen e kushteve për regjistrimin e saj.

  • Neni 43
  • (Ndryshuar me ligjin nr. 8781, datë 3.5.2001, neni 6)

    Shoqata ka të drejtë të themelojë degë të saj kudo ku ajo e çmon të arsyeshme, për të realizuar qëllimin dhe objektin e veprimtarisë së shoqatës.

  • Neni 43/1
  • (shtuar me ligjin nr. 8781, datë 3.5.2001, neni 7)

    Rastet dhe mënyrat e mbikëqyrjes së veprimtarisë së shoqatave nga organet kompetente shtetërore parashikohen shprehimisht në ligj.