KREU I - KUPTIMI DHE LLOJET E PËRFAQËSIMIT

  • Neni 64 - Kuptimi i përfaqësimit
  • Me përfaqësimin një person (përfaqësuesi) kryen, brenda tagreve që i janë dhënë nga ligji, nga prokura ose nga gjykata, veprime juridike
    në emër e për llogari të një personi fizik ose juridik tjetër (i përfaqësuari).
    Përfaqësimi nuk lejohet kur veprimi juridik duhet, sipas ligjit, të kryhet nga vetë personi.
    Nuk mund të veprojë si përfaqësues personi që nuk ka zotësi të plotë për të vepruar.

  • Neni 76 - Mbarimi i prokurës
  • Prokura mbaron kur:
    a) përfaqësuesi ka kryer veprimet juridike për të cilat ajo ishte dhënë;
    b) është plotësuar afati për të cilin ajo ishte dhënë;
    c) kur ka vdekur përfaqësuesi apo i përfaqësuari, ose kur njëri prej tyre ka humbur zotësinë për të vepruar;
    ç) ka mbaruar personi juridik përfaqësues apo i përfaqësuar;
    d) kur i përfaqësuari ka shfuqizuar prokurën ose përfaqësuesi ka hequr dorë prej saj. Pas mbarimit të prokurës perfaqësuesi, me kërkesën e të përfaqësuarit duhet t’i kthejë atij aktin e prokurës.

  • Neni 77 - Përfaqësimi pas ndryshimeve ose mbarimit të prokurës
  • Veprimet juridike të kryera nga përfaqësuesi, pas ndryshimeve të bëra në prokurë ose pas mbarimit të saj, janë të detyrueshme për të përfaqësuarin ose për trashëgimtarët e tij, në rast se personat e tretë, me të cilët janë kryer ato veprime juridike, nuk kanë patur dijeni për ndryshimet ose për mbarimin e prokurës.

  • Neni 78 - Përfaqësimi pa tagre
  • Kur një person fizik ose juridik vepron si përfaqësues pa e patur këtë cilësi, si edhe kur përfaqësuesi ka kapërcyer tagret që i janë dhënë, veprimi juridik i kryer në këto kushte nuk është i detyrueshëm për personin në emrin e të cilit janë kryer, përveç kur ky e ka miratuar atë më vonë.
    Kur miratimi nuk është dhënë, personi i tretë që ka qenë në mirëbesim ka të drejtë të kërkojë shpërblimin e dëmit nga përfaqësuesi.