A. Bashkëpronësia e detyrueshme

  • Neni 211 - Pandashmëria e objekteve të përbashkëta
  • Objektet e përbashkëta të ndërtesës nuk lejohet të ndahen, përveç kur ndarja e ndonjërit prej tyre mund të kryhet pa ia vështirësuar përdorimin e tij asnjërit nga bashkëpronarët.

  • Neni 212 - Përbërja e asamblesë dhe zgjedhja e kryesisë
  • Asambleja përbëhet nga pronarët e secilit kat ose njësie të ndarë të çdo kati, të cilët kanë në bashkëpronësi objektet e përbashkëta të ndërtesës.
    Në mbledhjen e parë të asamblesë anëtarët e saj zgjedhin, nga gjiri i tyre, kryesinë, e cila ngarkohet të kryejë, në emër e për llogari të tyre të gjitha veprimet e nevojshme për administrimin dhe mirëmbajtjen e zakonshme të objekteve të përbashkëta, përveç atyre veprimeve që janë në kompetencë vetëm të asamblesë, si dhe të përfaqësojë në instancat gjyqësore kompetente dhe në arbitrazh.

  • Neni 213 - Mbledhjet e asamblesë dhe vlefshmëria e vendimeve
  • Pas mbledhjes së parë organizuese, mbledhjet e asamblesë thirren një herë në vit. Mbledhje të tjera të asamblesë mund të thirren nga kryesia e saj ose me nismën e jo më pak se 20% të anëtarëve të saj.
    Asambleja mund të çelet dhe të marrë vendime kur janë të pranishëm personalisht ose të përfaqësuar me prokurë bashkëpronarët, të cilët kanë të paktën dy të tretat e tërësisë së kuotave. Kur ky numër nuk është i pranishëm, mbledhja shtyhet dhe mbledhja pasardhëse zhvillohet në rast se merr pjesë shumica e zakonshme e bashkëpronarëve.
    Vendimet e asamblesë merren me shumicë të thjeshtë votash të bashkëpronarëve, përveç rasteve kur në dispozitat e këtij kreu ose me dispozita të veçanta kërkohet një shumicë e cilësuar. Kur numri i votave është i barabartë, vota e kryetarit është vendimtare.

  • Neni 216 - Padia kundër vendimeve të asamblesë
  • Kur një vendim i asamblesë është i paligjshëm ose cenon interesat e ndonjërit nga bashkëpronarët e këtyre objekteve, çdo bashkëpronar ka të drejtë të paraqesë në gjykatën kompetente padi për pavlefshmërinë e atij vendimi, brenda tridhjetë ditëve nga data e dhënies së tij. Paraqitja e kërkesë-padisë nuk pezullon zbatimin e vendimit të asamblesë, përveç kur gjykata ka vendosur ndryshe.

  • Neni 217 - Detyrimet e bashkëpronarëve
  • Çdo bashkëpronar ka këto detyrime:

    1. Të paguajë shpenzimet për ruajtjen dhe gëzimin e pjesëve të përbashkëta të ndërtesës, për kryerje shërbimesh në dobi të përbashkët dhe për ndryshime të vendosura nga shumica e bashkëpronarëve, në përpjesëtim me vleftën e pjesës së secilit, përveç kur ka marrëveshje tjetër.
    Për sendet që u shërbejnë bashkëpronarëve në masë të ndryshme, shpenzimet përballohen në përpjesëtim me përdorimin që mund t’u bëjë atyre secili.
    Të paguajë shpenzimet për ruajtjen dhe gëzimin e pjesëve të përbashkëta të ndërtesës, për kryerje shërbimesh në dobi të përbashkët dhe për ndryshime të vendosura nga shumica e bashkëpronarëve në përpjesëtim me vleftën e pjesës të secilit, përveç kur ka marrëveshje tjetër.

    2. Të mos kryejë në katin ose njësinë e ndarjes së katit, që është në pronësi të veçantë të tij, ndërtime të cilat mund t’ u shkaktojnë dëme objekteve të përbashkëta të ndërtesës.

    3. Të ndreqë dëmin ose të paguajë shpenzimet për zëvendësimin e tij, që ai vetë ose një anëtar i familjes së tij i ka shkaktuar me faj, cilitdo objekti të përbashkët.

    4. Të mos kryejë, pa lejen paraprake të asamblesë, në katin ose në njësinë e ndarë të katit që është në pronë të tij, shtesa ose ndryshime të cilat mund të cenojnë pamjen e jashtme të ndërtesës.