KREU I - DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

  • Neni 232 - Përmbajtja e uzufruktit
  • Uzufrukti është e drejta e një personi (uzufruktari) për të gëzuar një send që është në pronësi të një tjetri, me detyrim që ta ruajë e ta mirëmbajë atë.

  • Neni 233 - Mënyra e krijimit të uzufruktit
  • Uzufrukti krijohet me ligj ose me një veprim juridik. Ai mund të fitohet edhe me parashkrimin fitues.

  • Neni 234 - Kohëzgjatja e uzufruktit
  • Uzufrukti mund të jetë me ose pa afat, por në çdo rast nuk mund të kalojë jetën e uzufruktarit.
    Kur e drejta e uzufruktit gëzohet nga një person juridik, nuk mund të zgjasë më shumë se tridhjetë vjet.

  • Neni 235 - Mënyra e krijimit
  • Uzufrukti që krijohet me veprim juridik duhet të bëhet me akt noterial, ndërsa kur fitohet me testament veprohet sipas dispozitave përkatëse.
    Uzufrukti mbi një send të paluajtshëm duhet të regjistrohet në regjistrat e pasurive të paluajtshme.

  • Neni 236 - Bashkuzufrukti
  • Uzufrukti mund të jetë në favor të më shumë se një personi. Kur e drejta e njërit prej tyre shuhet, ajo u kalon uzufruktarëve që mbeten, në përpjesëtim me pjesët. Në këtë mënyrë veprohet deri në shuarjen e së drejtës së uzufruktarit të fundit që mbetet.