strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

Heqja dorë nga trashëgimi

  • Neni 333
  • Heqja dorë nga trashëgimi duhet të bëhet me deklaratë të shkruar, që regjistrohet në gjykatën e rrethit të vendit ku është çelur trashëgimi, ose me gojë në një procesverbal gjyqësor.
    Heqja dorë mund të bëhet edhe me anë përfaqësuesi të pajisur me prokurë të posaçme.

  • Neni 334
  • Ai që ka hequr dorë nga trashëgimi, quhet se nuk është thirrur ndonjëherë në trashëgim. Heqja dorë nga trashëgimi nuk përjashton trashëgimtarin nga e drejta për të kërkuar legët.

  • Neni 335
  • Heqja dorë nga trashëgimi mund të bëhet brenda 3 muajve nga çelja e trashëgimisë dhe kur trashëgimtari është jashtë shtetit, jo më vonë se 6 muaj.
    Për trashëgimtarin që në kohën e çeljes së trashëgimisë nuk ka lindur, afati i heqjes dorë nga trashëgimi fillon nga dita e lindjes.
    Afati i heqjes dorë nga trashëgimi pezullohet për shkaqet që vlejnë për parashkrimin e padies.

  • Neni 336
  • Kur nuk dihet a ka trashëgimtarë, ose kur trashëgimtarët mungojnë dhe nuk ka lajme për ta, gjykata e rrethit ku është çelur trashëgimia, kryesisht ose me kërkesën e çdo të interesuari, cakton një afat, jo më pak se gjashtë muaj nga çelja e trashëgimisë, brenda të cilit ata duhet të deklarojnë në se heqin dorë nga trashëgimi. Në qoftë se brenda këtij afati nuk bëhet ndonjë deklarim i tillë, prezumohet se trashëgimlënësi nuk ka lënë trashëgimtarë.

  • Neni 337
  • Heqja dorë nga trashëgimi, e bërë para çeljes së trashëgimisë, ose kur bëhet me kusht, me afat, ose për një pjesë të trashëgimit, apo në dobi të njërit nga trashëgimtarët e tjerë, është e pavlefshme.

  • Neni 338
  • Nuk mund të hiqet dorë nga trashëgimi, kur gjatë afatit tremujor, trashëgimtari me veprimet e tij është sjellë si trashëgimtar.
    Veprimet që kryhen vetëm për të ruajtur pasurinë trashëgimore, nuk konsiderohen si sjellje prej trashëgimtari.
    Trashëgimtarët që kanë hequr ose fshehur sende nga trashëgimi, humbasin të drejtën e heqjes dorë dhe mbeten trashëgimtarë edhe sikur të kenë deklaruar heqjen dorë nga trashëgimi.

  • Neni 339
  • Trashëgimtari që ka deklaruar rregullisht heqjen dorë ose jo nga trashëgimi, nuk mund ta shfuqizojë më pas këtë deklarim.

  • Neni 340
  • Kur trashëgimtari vdes para se të kalojë afati për heqjen dorë nga trashëgimi, e drejta për heqjen dorë u kalon trashëgimtarëve të tij.