Vonesa e kreditorit

  • Neni 491
  • Kreditori është në vonesë kur pa ndonjë shkak të ligjshëm nuk pranon ekzekutimin e detyrimit nga ana e debitorit, ose që për shkak të rrethanave të krijuara me faj prej tij, nuk përmbush detyrimin ndaj debitorit, pa të cilin ky nuk mund të ekzekutojë detyrimin e tij.

  • Neni 492
  • Kur kreditori është në vonesë, debitori ka të drejtë të kërkojë shpërblimin e dëmit të shkaktuar prej saj dhe lirohet nga përgjegjësia në rast se më vonë ekzekutimi i detyrimit të tij bëhet i pamundur, përveç kur pamundësia e ekzekutimit ndodh për fajin e tij.
    Në detyrimet në para, kur kreditori është në vonesë, debitori nuk paguan kamatë.

  • Neni 493
  • Kur dëmi i ardhur nga mosekzekutimi i detyrimit është shkaktuar ose është shtuar edhe nga veprimet ose mosveprimet me faj të kreditorit, ose kur ky nuk ka treguar kujdesin e duhur për pakësimin e këtij dëmi, gjykata sipas rastit mund të pakësojë shumën e shpërblimit të dëmit ose të shkarkojë krejtësisht debitorin nga detyrimi për shpërblimin e tij.

  • Neni 494
  • Kreditori gjatë vonesës së tij nuk mund të kërkojë marrjen e masave për një ekzekutim të detyruar.

  • Neni 495
  • Kur kreditori është në vonesë ose nuk gjendet, debitori ka të drejtë të ekzekutojë detyrimin duke e depozituar sendin në një person që ushtron veprimtari depozitimi ose në një vend që caktohet nga gjykata e vendit të ekzekutimit të detyrimit. Kur objekt i detyrimit janë para, letra ose dokumente me vleftë ose sende të çmueshme, depozitohen në bankë.
    Me depozitimin ndërpritet kamata.
    Në rastet kur depozitimi kërkon shpenzime të mëdha, bëhet me vështirësi ose sendi që vihet në depozitë prishet shpejt ose për vetë natyrën e tij, nuk mund të lihet në depozitë, debitori, pasi të ketë lajmëruar kreditorin, kërkon nga gjykata që të lejohet të shesë sendin e mësipërm dhe vleftën e nxjerrë nga shitja ta depozitojë në bankën e shtetit në emër të kreditorit.
    Kur debitori tërheq sendin e depozituar para se të jetë pranuar nga kreditori, depozitimi quhet se nuk është bërë.
    Depozituesi i dorëzon sendin kreditorit vetëm pasi ky të ketë shlyer të gjitha shpenzimet për ekzekutimin e detyrimit.