- Neni 499
(shtuar paragrafi i tretë me ligjin nr.8536, datë 18.10.1999 neni 1)
Kreditori mund t’ia kalojë kredinë e vet një personi tjetër edhe pa miratimin e debitorit, me kusht që kredia të mos ketë karakter të ngushtë personal dhe kalimi të mos jetë ndalur nga ligji. Veçanërisht nuk lejohet kalimi i kredisë një personi tjetër, kur rrjedh nga shkaktimi i vdekjes ose i dëmtimit të shëndetit, si dhe i kredive që nuk mund të sekuestrohen.
Palët në një marrëveshje mund të përjashtojnë kalimin e kredisë, por marrëveshja nuk mund t’i kundrejtohet atij që i kalon kredia po të mos provohet se ai e njihte atë në momentin e kalimit.
Dispozitat për kalimin e kredisë nuk zbatohen ndaj kredive që lidhen me transaksione financiare, ndaj të cilave janë vendosur barrë siguruese, sipas kritereve të përcaktuara me ligj të veçantë.
- Neni 500
Kredia kalon së bashku me privilegjet, garancitë dhe aksesorët e tjerë, duke përfshirë edhe kamatat për kohën e kaluar, përveç kur në kontratë parashikohet ndryshe. Personi që bën kalimin e kredisë nuk mund t’i kalojë personit tjetër posedimin e sendit të marrë peng pa miratimin e palës tjetër (pengdhënësit). Në të kundërtën kreditori mbetet ruajtës i pengut.
- Neni 501
Kalimi i kredisë duhet të bëhet me shkresë, ndryshe nuk është i vlefshëm.
- Neni 502
Kalimi kredisë ka efekt ndaj debitorit dhe ndaj personave të tretë, nga dita që debitori e ka pranuar ose i është njoftuar nga kreditori i mëparshëm ose nga kreditori i ri.
Debitori që ka ekzekutuar detyrimin e tij, përpara se të ishte njoftuar për kalimin e kredisë, shkarkohet nga detyrimi.
- Neni 503
Kur kredia u është kaluar disa personave të veçantë, preferohet në shlyerje kalimi që i është njoftuar më përpara debitorit, ose që është pranuar më parë nga debitori, me një dokument (shkresë) me datë të saktë edhe sikur data të jetë e mëvonshme.
- Neni 504
Kalimi i kredisë nuk cenon mjetet mbrojtëse të debitorit.
Debitori mund t’i kundrejtojë kreditorit të ri prapësimet që mund t’i drejtonte kreditorit të mëparshëm, në kohën që i është njoftuar kalimi i kredisë.
Ai mund të kërkojë t’i bëhet kompensimi i një kredie ndaj kreditorit të parë, qoftë dhe ende e pa kërkueshme në atë kohë, me kusht që të mos jetë bërë e kërkueshme mbas cedimit të kredisë.
- Neni 505
Kur kalimi i kredisë bëhet me titull barësor kreditori është garant për ekzistencën e kredisë në kohën e kalimit të saj.
Kur kalimi bëhet falas, kreditori nuk është garant për ekzistencën e kredisë.
- Neni 506
Kreditori që kalon kredinë nuk përgjigjet për paaftësinë paguese të debitorit, përveç kur ka marrë përsipër garancinë.
Në këtë rast përgjigjet për aq sa ka marrë. Veç kësaj duhet të përgjigjet për kamatat, për shpenzimet e kalimit, dhe ato që personi që i ka kaluar kredia ka bërë për ndjekjet ligjore ndaj debitorit dhe të shpërblejë dëmin.
Marrëveshja që synon të rëndojë përgjegjësinë e personit që kalon kredinë, është e pavlefshme. Kur kreditori që kalon kredinë ka garantuar aftësinë paguese të debitorit, garancia pushon, në qoftë se mosekzekutimi i kredisë për paaftësi paguese të debitorit ka ardhur nga pakujdesia e kreditorit të ri për të ndjekur çështjen ndaj debitorit.
- Neni 507
Kreditori që bën kalimin e kredisë duhet t’i dorëzojë kreditorit tjetër dokumentet që provojnë kredinë, të cilat janë në posedimin e tij.
Kur është kaluar vetëm një pjesë e kredisë, kreditori detyrohet t’i dorëzojë kreditorit tjetër një kopje autentike të dokumenteve.
Komentet më të fundit
para 5 years 3 days
para 5 years 2 weeks
para 6 years 18 weeks
para 6 years 29 weeks
para 6 years 29 weeks
para 7 years 5 weeks
para 7 years 6 weeks
para 7 years 14 weeks
para 7 years 16 weeks
para 7 years 22 weeks