KREU I - DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

  • Neni 617 - Publikimet mashtruese ose të pasakta
  • Kur vërtetohet se një person ka përgjegjësi ndaj një personi tjetër, për shkak se ka publikuar të dhëna të pasakta, jo të plota ose mashtruese, gjykata me kërkesën e personit të dëmtuar, detyron personin tjetër që të publikojë një përgënjeshtrim, në mënyrën që ajo do ta quante të përshtatshme.
    Gjykata mund të urdhërojë publikimin e përgënjeshtrimit edhe kur vërtetohet se publikimi i të dhënave nuk është i paligjshëm dhe i kryer me faj, se autori i tyre nuk kishte dijeni për karakterin e pasaktë ose të paplotë të këtyre të dhënave.

  • Neni 620 - Përgjegjësia e përfaqësuesit
  • Në qoftë se veprimtaria e përfaqësuesit në ushtrimin e pushteteve që i janë caktuar, sjell një përgjegjësi me faj ndaj një të treti, i përfaqësuari është gjithashtu përgjegjës ndaj këtij personi.

  • Neni 621 - Përgjegjësia nga përdorimi i kafshëve
  • Pronari i një kafshe ose ai që e përdor atë është përgjegjës për dëmin e shkaktuar prej saj, përveç kur provon se ka patur kontrollin e sjelljes së kafshës nga e cila është shkaktuar dëmi dhe nuk ka mundur ta mënjanonte atë.

  • Neni 624 - Përgjegjësia për mjedisin
  • Personi që me faj ka cenuar mjedisin, duke e keqësuar, ndryshuar ose dëmtuar atë, tërësisht ose pjesërisht, detyrohet të shpërblejë dëmin e shkaktuar.

  • Neni 625 - Përgjegjësia për dëmin jopasuror
  • Personi që pëson një dëm, të ndryshëm nga ai pasuror, ka të drejtë të kërkojë të shpërblehet kur:

    a) ka pësuar një dëmtim të shëndetit ose është cenuar në nderin e personalitetit të tij;

    b) është fyer kujtimi i një të vdekuri dhe kërkohet nga bashkëshorti me të cilin ka bashkëjetuar deri në ditën e vdekjes ose nga të afërmit e tij deri në shkallën e dytë, përveç kur fyerja është kryer kur i vdekuri ka qenë gjallë dhe i është njohur e drejta e shpërblimit të dëmit për fyerjen e bërë.

    E drejta e parashikuar në paragrafin e mësipërm është e patrashëgueshme.

  • Neni 626 - Përgjegjësia solidare
  • Kur dëmi është shkaktuar nga shumë persona së bashku, këta përgjigjen ndaj të dëmtuarit solidarisht.

  • Neni 627 - Padia e kthimit
  • Personi që ka shpërblyer dëmin ka të drejtë të kërkojë nga secili shkaktar i dëmit pjesën e tij në përpjesëtim me shkallën e fajësisë të secilit dhe të tërësisë së pasojave të rrjedhura. Kur kjo nuk mund të përcaktohet, prezumohet se shkalla e fajësisë është e barabartë.
    Prindërit ose kujdestarët që kanë paguar shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga të miturit ose nga personat të cilëve u është hequr krejt zotësia për të vepruar, nuk kanë të drejtë të kërkojnë nga këta kthimin e shpërblimit të dëmit që kanë paguar.