Përgjegjësia për shkaktimin e dëmit

  • Neni 608
  • Personi që, në mënyrë të paligjshme dhe me faj, i shkakton tjetrit një dëm në personin ose në pasurinë e tij, detyrohet të shpërblejë dëmin e shkaktuar.
    Personi që ka shkaktuar dëmin nuk përgjigjet kur provon se nuk ka faj. Dëmi quhet i paligjshëm kur është rrjedhim i shkeljes ose i cenimit të interesave dhe i të drejtave të tjetrit, që mbrohen nga rendi juridik ose nga zakonet e mira.

  • Neni 609
  • Dëmi duhet të jetë rrjedhim i drejtpërdrejtë dhe i menjëhershëm i veprimit ose mosveprimit të personit.
    Mospengimi i një ngjarjeje nga personi që ka detyrimin ligjor për ta mënjanuar, e ngarkon atë me përgjegjësi për dëmin e shkaktuar.

  • Neni 610
  • Është e pavlefshme marrëveshja që paraprakisht përjashton ose kufizon përgjegjësinë e personit që ka kryer dëm me faj.

  • Neni 611
  • Nuk është përgjegjës ai që i shkakton dëm tjetrit për mbrojtjen e nevojshme të tij ose të një të treti.

  • Neni 612
  • Personi që ka shkaktuar dëmin duke qënë i shtrënguar nga nevoja për të shpetuar veten ose të tjerët nga rreziku i atëçastëm i një dëmi të rëndë, rrezik i cili nuk ka qënë shkaktuar dhe as nuk mund të mënjanohej prej tij, detyrohet të shpërblejë dëmin. Gjykata, duke marrë parasysh rrethanat e posaçme të çështjes, mund ta shkarkojë plotësisht ose pjesërisht këtë person nga detyrimi i shpërblimit të dëmit.