strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU III - SHPËRBLIMI I DËMIT

  • Neni 640
  • Dëmi pasuror që shpërblehet përbëhet nga humbja e pësuar dhe fitimi i munguar.
    Shpërblehen gjithashtu shpenzimet e kryera në mënyrë të arsyeshme për të shmangur ose pakësuar dëmin, ato që kanë qenë të nevojshme për të përcaktuar përgjegjësinë dhe masën e dëmit, si dhe shpenzimet e arsyeshme të kryera për të siguruar shpërblimin në rrugë jashtëgjyqësore.

  • Neni 641
  • Personi që i ka shkaktuar tjetrit një dëm në shëndetin e tij, detyrohet ta shpërblejë dëmin, duke patur parasysh humbjen ose pakësimin e aftësisë për punë të të dëmtuarit, shpenzimet që janë bërë për mjekimin e tij, si dhe shpenzime të tjera që kanë lidhje me dëmin e shkaktuar.

  • Neni 642
  • Masa e shpërblimit të dëmit mund të ndryshojë në të ardhmen, në varësi të përmirësimit apo rëndimit të shëndetit ose të shtimit apo pakësimit të aftësisë për punë të të dëmtuarit, në krahasim me kohën e caktimit të shpërblimit dhe të ndryshimeve që mund të ketë pësuar paga e të dëmtuarit.

  • Neni 643
  • Kur është shkaktuar vdekja e një personi, dëmi që duhet të shpërblejë përbëhet nga:

    a) shpenzimet për ushqim e jetesë të fëmijëve të tij të mitur, të bashkëshortes dhe prindërve të paaftë për punë që kanë qenë në ngarkim të të vdekurit, plotësisht ose pjesërisht, si dhe të personave që banonin në familjen e të vdekurit dhe që gëzonin prej tij të drejtën e ushqimit;

    b) shpenzimet e duhura për varrimin e të vdekurit, në masën që ato i përgjigjen rrethanave personale e familjare të të vdekurit.

    Personi që ka shkaktuar dëmin mund të kundrejtojë të njëjtat mjete mbrojtëse që do t’i kundrejtonte të vdekurit.
    Gjykata, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat e çështjes, mund të vendosë që shpërblimi të jepet në natyrë, ose në para, njëherësh ose me këste.

  • Neni 644
  • Kur personi që ka kryer veprimin apo mosveprimin e paligjshëm krahas dëmit të shkaktuar, ka patur edhe një përfitim të dukshëm, gjykata me kërkesën e palës së dëmtuar duke patur parasysh natyrën e dëmit, shkallën e fajësisë e rrethana të tjera të çështjes mund të llogarisë në shpërblimin e dëmit, tërësisht apo pjesërisht përfitimin.

  • Neni 645
  • Kur shkaktohet vdekja ose dëmtimi i shëndetit të një personi që fiton nga sigurimet shoqërore, dëmi shpërblehet në mënyrën e caktuar me ligj.

  • Neni 646
  • Për një person që nuk ka qenë në marrëdhënie pune ose nuk ka qenë i siguruar, masa e shpërblimit të dëmit të rrjedhur nga vdekja ose dëmtimi i shëndetit, caktohet nga gjykata në bazë të pagës që merr një punonjës i asaj kategorie me të cilën mund të barazohet edhe puna që kryente ose mund të kryente i dëmtuari.

  • Neni 647
  • I mituri i dëmtuar, kur mbush moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe nuk ka pagë nga puna e tij, ka të drejtë që në vend të shpërblimit që merr për jetesë, të kërkojë të shpërblehet për humbjen e aftësisë së tij për punë me pagën mesatare të një punonjësi, sipas kritereve të nenit 646 të këtij Kodi.
    Me mbushjen e moshës tetëmbëdhjetë vjeç ka të drejtë që në vend të shpërblimit që merr, të kërkojë të shpërblehet me pagën mesatare të një punëtori të asaj kategorie që do të kishte fituar ose duhej të kishte fituar po të mos ishte shkaktuar dëmtimi i shëndetit.