strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

Detyrimet e blerësit në shitjen e pasurisë së luajtshme

  • Neni 730
  • Detyrimi i blerësit për të paguar çmimin përfshin marrjen e masave dhe respektimin e formaliteteve të kërkuara nga kontrata ose nga dispozita të veçanta për kryerjen e pagimit.

  • Neni 731
  • Në rast se blerësi nuk është i detyruar të paguajë çmimin në një vend tjetër të caktuar, ai duhet ta paguajë atë në vendbanimin ose qendrën zyrtare të shitësit ose, kur pagimi duhet të bëhet në kohën e dorëzimit të sendeve ose dokumenteve, në vendin e dorëzimit.

  • Neni 732
  • Në qoftë se blerësi nuk është i detyruar të paguajë çmimin në një moment tjetër të caktuar, ai duhet ta paguajë atë kur shitësi vë në dispozicion të tij sendet apo dokumentet që i përfaqësojnë. Në qoflë se kontrata përfshin transportin e sendeve, shitësi mund të kryejë spedicionin me kusht që sendet ose dokumentet, që i përfaqësojnë ata, t’i dorëzohen blerësit para pagimit të çmimit.

  • Neni 733
  • Blerësi duhet të paguajë çmimin në datën e caktuar ose të përcaktueshme në bazë të kontratës ose ligjit, pa qenë nevojë e kërkesës së shitësit.

  • Neni 734
  • Detyrimi i blerësit për marrjen në dorëzim është kryerja e çdo veprimi që mund të pritet prej tij në mënyrë të arsyeshme, për t’i lejuar shitësit të bëjë dorëzimin dhe blerësi të tërheqë sendet.

  • Neni 735
  • Në qoftë se në kontratë parashikohet se blerësi duhet të përcaktojë formën, madhësinë ose karakteristika të tjera të sendeve, dhe në qoftë se ky nuk e bën këtë përcaktim në datën e caktuar ose brenda një kohe të arsyeshme pas marrjes së kërkesës së shitësit, ky mund ta kryejë vetë këtë përcaktim në përputhje me kërkesat e blerësit, për të cilat mund të jetë në dijeni.
    Në qoftë se shitësi e bën vetë përcaktimin, duhet të njoftojë blerësin për rregullat e këtij përcaktimi dhe të vendosë një afat të arsyeshëm brenda të cilit blerësi mund të kryejë një përcaktim tjetër. Në qoftë se pasi të ketë marrë këtë njoftim, blerësi nuk e përdor këtë mundësi brenda afatit të vendosur, përcaktimi i bërë nga shitësi është i detyrueshëm.

  • Neni 736
  • Shitësi mund t’i caktojë blerësit një afat shtesë të arsyeshëm për përmbushjen e detyrimeve të veta. Me përjashtim të rastit kur shitësi nuk ka marrë njoftim nga blerësi se ky nuk do ta përmbushë detyrimin brenda afatit të caktuar, gjatë kësaj periudhe, shitësi nuk mund të përdorë asnjë mjet ligjor për përmbushjen e detyrimeve. Gjithsesi shitësi nuk humbet të drejtën për të kërkuar shpërblimin e dëmit për vonesën në përmbushje.

  • Neni 737
  • Shitësi mund ta deklarojë kontratën të zgjidhur:

    1. në qoftë se mospërmbushja nga ana e blerësit e një detyrimi që rrjedh nga kontrata ose nga ligji përbën një mospërmbushje me rëndësi të veçantë ose thelbësore;

    2. në qoftë se blerësi nuk përmbush detyrimet e tij për të paguar çmimin ose për të marrë në dorëzim sendet në afatin shtesë të caktuar nga shitësi, ose deklaron se nuk do ta bëjë brenda këtij afati.

    Në qoftë se blerësi ka paguar çmimin, shitësi humb të drejtën të shpallë kontratën të zgjidhur po qe se këtë nuk e kërkon:

    1. në rastin e përmbushjes së vonuar të detyrimeve të blerësit, para se të marrë dijeni për ekzekutimin e detyrimit;

    2. në rastin e një mospërmbushjeje tjetër të ndryshme nga mospërmbushja e vonuar, brenda një kohe të arsyeshme:
    a) që nga momenti kur ka marrë dijeni ose duhet të kishte marrë dijeni për një mospërmbushje të tillë;
    b) pas mbarimit të afatit shtesë të caktuar prej tij, ose pasi blerësi të ketë deklaruar se nuk do të përmbushë detyrimet e veta brenda këtij afati shtesë.

  • Neni 738
  • Përveç marrëveshjeve ose zakoneve tregtare të kundërta, në qoftë se sendet e shitura duhet të transportohen nga një vend në tjetrin, dhe shitësi nuk është i detyruar të bëjë dorëzimin në një vend të caktuar në kontratë, rreziku i kalon blerësit kur sendi i dorëzohet transportuesit të parë për t’ia dërguar blerësit, edhe sikur sendet të jenë të ngarkuara në mënyrë të paambalazhuar.
    Në qoftë se shitësi detyrohet t’ia dorëzojë sendet transportuesit në një vend të caktuar në kontratë, rreziku kalon tek blerësi vetëm kur sendet i dorëzohen transportuesit në vendin e përmendur. Fakti që shitësi është i autorizuar të mbajë dokumentet përfaqësuese të sendeve, nuk ndikon në kalimin e rrezikut.

  • Neni 739
  • Në qoftë se shitësi ka kryer një mospërmbushje thelbësore të kontratës, dispozitat e nenit të mëparshëm nuk privojnë mjetet juridike që blerësi ka në dorë ndaj mospërmbushjes së detyrimeve kontraktore.