strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

Dispozita të përbashkëta për detyrimet e shitësit dhe të blerësit

  • Neni 740
  • Njëra palë mund të pezullojë përmbushjen e detyrimeve të veta në qoftë se, pas përfundimit të kontratës, del qartë se pala tjetër nuk do të përmbushë pjesën thelbësore të detyrimeve të saj si rrjedhim:

    1. të një pamundësie të rëndë në aftësinë e vet për ta përmbushur ose në aftësinë e vet paguese;

    2. të mënyrës në të cilën përgatitet për të filluar ose vazhduar zbatimin e kontratës. Në qoftë se shitësi i ka shitur sendet, para se të shfaqeshin kushtet e përmendura në paragrafin e mësipërm, ai mund të kundërshtojë dorëzimin e sendeve blerësit edhe sikur ky të zotërojë një dokument që e legjitimon atë për t’i marrë.
    Një kundërshtim i tillë ka efekt ekskluzivisht në marrëdhëniet midis blerësit dhe shitësit. Pala që pezullon zbatimin duhet të njoftojë menjëherë palën tjetër dhe duhet të vazhdojë përmbushjen në qoftë se pala tjetër jep garanci të përshtatshme lidhur me përmbushjen e detyrimeve të saj.

  • Neni 741
  • Në rastin e një kontrate shitjeje me dorëzime të pjesshme, kur mospërmbushja nga ana e njërës palë kontraktuese ndaj njërit prej detyrimeve të saj lidhur me një dorëzim, përbën një mospërmbushje me rëndësi të veçantë të kontratës që lidhet me këtë dorëzim, pala tjetër mund ta shpallë kontratën të zgjidhur për sa i takon këtij dorëzimi.
    Në qoftë se mospërmbushja nga ana e njërës palë kontraktuese e detyrimeve të veta lidhur me një dorëzim, i jep palës tjetër arsye të bazuara për të gjykuar se do të ndodhë një mospërmbushje thelbësore lidhur me dorëzimet e ardhshme, kjo mund ta shpallë kontratën të zgjidhur për të ardhmen, mjafton që këtë ta bëjë brenda një kohe të arsyeshme.
    Blerësi që e shpall kontratën të zgjidhur për sa i takon një dorëzimi mundet, në të njëjtën kohë, të shpallë zgjidhjen për dorëzimet e bëra më parë ose për dorëzimet e ardhshme në qoftë se për shkak të ndërvarësisë së tyre këto dorëzime nuk do të mund të përdoreshin për qëllimin e caktuar nga palët në kontratë.

  • Neni 742
  • Në rastin e zgjidhjes së kontratës, shitësi duhet të kthejë çmimin dhe t’i paguajë blerësit shpenzimet dhe pagimet e bëra ligjërisht.
    Blerësi duhet të kthejë sendin, në qoftë se ky nuk ka humbur ose është shkatërruar si rrjedhim i veseve të tij.

  • Neni 743
  • Në qoftë se njëra palë vonon të paguajë çmimin ose çdo shumë tjetër, pala tjetër ka të drejtë të kërkojë kamatat për këto shuma pa cenuar shpërblimin e dëmit.

  • Neni 744
  • Shitësi duhet t’i kthejë blerësit çmimin e paguar, edhe sikur sendit t’i jetë pakësuar vlefta ose të jetë dëmtuar. Në qoftë se ulja e vleftës ose dëmtimi vijnë si pasojë e një veprimi të blerësit, nga shuma e mësipërme duhet zbritur përfitimi që ka nxjerrë blerësi, përveç sa parashikohet në nenin 640.

  • Neni 745
  • Në qoftë se kontrata është zgjidhur dhe po qe se, në mënyrë të arsyeshme dhe brenda një afati të arsyeshëm pas zgjidhjes, blerësi ka kryer një blerje për të zëvendësuar ose shitësi i ka rishitur sendet, pala që kërkon dëmshpërblimin mund të marrë diferencën midis çmimit të parashikuar në kontratë dhe çmimit të shitblerjes zëvendësuese, si dhe çdo shpërblim tjetër që mund të kërkohet në bazë të nenit të mësipërm.