strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU IV - FURNIZIMI

  • Neni 772
  • Furnizimi është një kontratë me të cilën njëra palë detyrohet, kundrejt pagesës së një çmimi, të kryejë në dobi të palës tjetër furnizime periodike ose të vazhdueshme të sendeve.
    Sendet e furnizuar mund të jenë të luajtshme ose të paluajtshme, gjithashtu mund të jenë në trajtë energjie ose titujsh krediti.

  • Neni 773
  • Kur nuk është përcaktuar sasia e furnizimit nënkuptohet se marrëveshja është për sasinë që përkon me nevojat normale të palës që furnizohet deri në kohën e përfundimit të kontratës.
    Në qoftë se palët kanë vendosur vetëm kufirin maksimal dhe minimal për furnizimin ose për shërbimet e veçanta, i takon atij që ka të drejtën e furnizimit të vendosë brenda kufijve të mësipërm për sasinë e duhur.
    Në qoftë se sasia e furnizimit duhet të përcaktohet sipas nevojave mbi një sasi minimale të caktuar në kontratë, pala që furnizohet përgjigjet për sasinë përkatëse sipas nevojave në rast se tejkalohet sasia minimale.

  • Neni 774
  • Në furnizimin me karakter periodik, në qoftë se çmimi do të përcaktohet sipas nenit 707 të këtij Kodi, merret parasysh koha e mbarimit të furnizimeve të veçanta dhe vendi ku këto duhet të kryhen.

  • Neni 775
  • Në furnizimin me karakter periodik, çmimi përkon me dokumentin e furnizimeve të veçanta.
    Në furnizimin me karakter të vazhdueshëm çmimi paguhet sipas afateve të zakonshme.

  • Neni 776
  • Afati i caktuar në kontratë për furnizime të veçanta prezumohet si i vendosur në dobi të dy palëve.
    Në qoftë se palës që furnizohet i është dhënë e drejta të caktojë afatin e furnizimeve të veçanta, ajo duhet t’i njoftojë datën furnizuesit me anë të një paralajmërimi në një kohë të arsyeshme.

  • Neni 777
  • Në rast mospërmbushjeje prej njërës nga palët të detyrimeve të veçanta, pala tjetër mund të kërkojë zgjidhjen e kontratës, në qoftë se mospërmbushja ka një rëndësi të veçantë dhe është e tillë sa që dëmton besimin në sigurinë e përmbushjeve të mëpasshme.

  • Neni 778
  • Në qoftë se pala që ka të drejtë për t’u furnizuar nuk e ka përmbushur detyrimin dhe mospërmbushja është me pak rëndësi, furnizuesi nuk mund të pezullojë zbatimin e kontratës pa bërë më parë një paralajmërim të arsyeshëm.

  • Neni 779
  • Në rast se në kontratë është vendosur kushti i ekskluzivitetit në favor të furnizuesit, pala tjetër nuk mund të përfitojë furnizime të të njëjtit lloj nga të tretët dhe as mund të realizojë, me mjetet e veta, prodhimin e sendeve që formojnë objektin e kontratës, në qoftë se për këtë nuk ka marrëveshje të kundërt ose kur në ligj disponohet ndryshe.

  • Neni 780
  • Në qoftë se kushti i ekskluzivitetit është vendosur në dobi të palës që ka të drejtë për t’u furnizuar, furnizuesi nuk mund të bëjë as drejtpërdrejt dhe as tërthorazi furnizime të të njëjtit lloj e që formojnë objektin e kontratës, në zonën për të cilën është dhënë ekskluziviteti dhe brenda afatit të kontratës.
    Kushti i ekskluzivitetit, që përmbahet në një kontratë furnizimi, përbën një kusht barrësor që kërkon miratim të posaçëm me shkrim.

  • Neni 781
  • Pala që ka të drejtën për t’u furnizuar, kur merr përsipër detyrimin për të shtuar shitjen e sendeve për të cilat ka ekskluzivitet, në zonën që i është caktuar, përgjigjet për dëmet që shkaktohen nga mospërmbushja e këtij detyrimi, edhe në qoftë se kontratën e ka zbatuar për sasinë minimale që është caktuar.

  • Neni 782
  • Në qoftë se kohëzgjatja e furnizimit nuk është vendosur, secila nga palët mund të tërhiqet nga kontrata, duke njoftuar paraprakisht furnizuesin brenda afatit të vendosur prej tyre dhe, në mungesë të tij, brenda një afati të arsyeshëm, duke marrë parasysh edhe natyrën e furnizimit.

  • Neni 783
  • Në kontratën e furnizimit zbatohen edhe dispozitat që rregullojnë kontratën për furnizimet e veçanta, për aq sa nuk vijnë në kundërshtim me dispozitat e mësipërme.