- Neni 901
Me kontratën e huapërdorjes, njëra palë (huadhënësi) i jep palës tjetër (huamarrësit), pa kundërshpërblim, një send të caktuar që ta përdorë përkohësisht dhe kjo palë detyrohet ta kthejë atë send në afatin e caktuar në kontratë. Kur nuk është caktuar afat, me kërkesën e Palës që ka dhënë sendin.
- Neni 902
Kontrata e huapërdorjes quhet e lidhur nga çasti që është dorëzuar sendi.
- Neni 903
Huamarrësi detyrohet ta mbajë dhe ta ruajë sendin me përkujdesje.
Ai nuk mund ta përdorë atë ndryshe nga përdorimi i caktuar në kontratë ose nga natyra e sendit. Huamarrësi nuk mund t’ia japë një të treti sendin për përdorim pa pëlqimin e huadhënësit.
Kur huamarrësi nuk përmbush detyrimet e lartpërmendura huadhënësi mund të kërkojë kthimin e menjëhershëm të sendit, përveç shpërblimit të dëmit.
- Neni 904
Huamarrësi është përgjegjës për humbjen ose dëmtimin e sendit, përveç kur provon se humbja ose dëmtimi i sendit do të kishte ndodhur edhe në rast se do të ishte dhënë në huapërdorje.
- Neni 905
Në qoftë se huamarrësi e përdor sendin ndryshe nga sa është caktuar në kontratë ose nga natyra e tij dhe për një kohë më të gjatë se sa duhej, përgjigjet për humbjen e ndodhur edhe nga rasti fator, përveç kur provon se sendi do të humbiste njëlloj, si të mos përdorej ndryshe, si të ishte kthyer në kohën e caktuar në kontratë.
- Neni 906
Huamarrësi nuk mund të kërkojë pagimin e shpenzimeve që ka bërë për të përdorur sendin.
- Neni 907
Në qoftë se gjatë afatit të caktuar, ose përpara se huamarrësi të ketë pushuar së përdoruri sendin sipas kontratës, huadhënësi ndodhet përpara një nevoje të ngutshme dhe të paparashikuar të sendit, ai mund të kërkojë zgjidhjen e kontratës dhe kthimin e menjëhershëm të sendit.
- Neni 908
Në rast vdekjeje të huamarrësit, huadhënësi, edhe po të jetë caktuar një afat, mund të kërkojë nga trashëgimtarët kthimin e menjëhershëm të sendit.
- Neni 909
Huamarrësi është i detyruar të bëjë me shpenzimet e tij ndreqjet e zakonshme të sendit të dhënë në huapërdorje, përveç kur në kontratë është parashikuar ndryshe, ndërsa ndreqjet e tjera bëhen nga huadhënësi.
- Neni 910
Po qe se gjatë huapërdorjes huamarrësi është detyruar, për të ruajtur sendin, që të kryejë shpenzime të jashtëzakonshme, të nevojshme dhe të ngutshme dhe se për këto nuk ka patur mundësi të njoftonte huadhënësin, ky duhet t’ia paguajë huamarrësit.
- Neni 911
Po qe se sendi i huapërdorur ka patur të meta të tilla që dëmtojnë atë që e përdor, huadhënësi detyrohet të shpërblejë dëmin sa kohë që, duke i ditur të metat e sendit, nuk ka njoftuar huamarrësin.
- Neni 912
Kur mbaron afati i kontratës së huapërdorjes, ose kur kontrata zgjidhet para këtij afati, huamarrësi është i detyruar t’i kthejë huadhënësit sendin po në atë gjendje në të cilën e mori me ndryshimet e zakonshme të shkaktuara nga përdorimi i tij, ose në gjendjen e parashikuar në kontratë. Gjersa nuk provohet e kundërta prezumohet se sendi është marrë në gjendje të mirë.
Komentet më të fundit
para 4 years 8 weeks
para 4 years 10 weeks
para 5 years 25 weeks
para 5 years 37 weeks
para 5 years 37 weeks
para 6 years 13 weeks
para 6 years 14 weeks
para 6 years 22 weeks
para 6 years 24 weeks
para 6 years 30 weeks