strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

Të drejta e detyrime të qiramarrësit

  • Neni 812
  • Qiramarrësi duhet:
    1. të marrë në dorëzim sendin dhe ta përdorë për qëllimin që është parashikuar në kontratë dhe, kur nuk është parashikuar, sipas qëllimit që del nga natyra e sendit;
    2. të kryejë pagesën në afatet e caktuara.

  • Neni 813
  • Qiramarrësi përgjigjet për humbjen dhe dëmtimin e sendit të cilat ndodhin gjatë kontratës së qirasë.

  • Neni 814
  • Qiramarrësi duhet t’ia kthejë qiradhënësit sendin në të njëjtën gjendje që e ka marrë, në përputhje me përshkrimin e bërë nga palët në kontratë, përveç dëmtimit ose konsumimit të zakonshëm nga përdorimi i sendit në përputhje me kontratën.
    Në mungesë të përshkrimit në kontratë prezumohet se qiramarrësi e ka marrë sendin në gjëndje të mirë përdorimi.
    Qiramarrësi nuk përgjigjet për humbjen ose dëmtimin e shkaktuar si pasojë e vjetërsisë. Sendet e luajtshme duhet të kthehen në vendin ku janë marrë në dorëzim.

  • Neni 815
  • Qiramarrësi që është në vonesë për të kthyer sendin, detyrohet t’i japë qiradhënësit pagesën e caktuar deri në dorëzim, përveç detyrimit për të shpërblyer dëmin përkatës.

  • Neni 816
  • Përveç kur parashikohet ndryshe në ligj, qiramarrësi nuk ka të drejtë të shpërblehet për përmirësimet e bëra sendit të marrë me qira.
    Por në qoftë se ka patur pëlqimin e qiradhënësit, ky është i detyruar t’i paguajë një kompensim që i korrespondon shumës më të vogël midis shumës së shpenzimeve dhe vleftës së rezultatit të dobishëm në kohën e dorëzimit. Kur qiramarrësi nuk ka të drejtë kompensimi, vlefta e përmirësimeve mund të kompensojë dëmtimet që kanë ndodhur për pakujdesinë e rëndë të qiramarrësit.

  • Neni 817
  • Qiramarrësi që ka bërë shtesa në sendin e marrë me qira, ka të drejtë t’i heqë ato në mbarim të qirasë, kur kjo mund të kryhet pa dëmtuar sendin, përveç kur pronari pranon t’i mbajë vetë shtesat. Në këtë rast ky duhet t’i paguajë qiramarrësit një kompensim të barabartë me shumën më të vogël midis shpenzimeve dhe vleftës të shtesave në kohën e ridorëzimit.
    Në qoftë se shtesat nuk mund të ndahen pa dëmtuar sendin dhe përbëjnë një përmirësim të tij, zbatohen rregullat e parashikuara nga neni 810.

  • Neni 818
  • Qiramarrësi, veç marrëveshjes së kundërt, ka të drejtë të japë me nënqira sendin që ka marrë me qira, por nuk mund t’ia kalojë kontratën një tjetri pa pëlqimin e qiradhënësit.
    Për sende të luajtshme dhënia me nënqira bëhet me pëlqimin e qiradhënësit.

  • Neni 819
  • Qiradhënësi, pa cenuar të drejtat e tij ndaj qiramarrësit, mund të ngrejë padi kundër nënqiramarrësit për të kërkuar çmimin e nënqirasë për të cilën ky i fundit është ende debitor në momentin e ngritjes së padisë dhe për ta detyruar atë të përmbushë të gjitha detyrimet e tjera që rrjedhin nga kontrata e nënqirasë.
    Shpallja e pavlefshme e kontratës së qirasë ose zgjidhja e saj ka efekt edhe ndaj nënqiramarrësit, dhe vendimi i marrë midis qiradhënësit dhe qiramarrësit ka efekt edhe ndaj tij.