Heqja dorë nga porosia dhe efektet juridike

  • Neni 928
  • I porosituri mund të heqë dorë nga kontrata por, po qe se në marrëveshje është parashikuar e kundërta, ai përgjigjet për dëmet, përveç kur heqja dorë bëhet për një shkak të drejtë.
    Porosia e dhënë në interes të të porositurit ose të tretëve nuk shuhet me revokim nga ana e porositësit, përveç kur është vendosur ndryshe në kontratë ose ajo bëhet për një shkak të drejtë, por nuk shuhet për shkak të vdekjes ose për pazotësinë për të vepruar që i ndodh porositësit.

  • Neni 929
  • Emërimi i një të porosituri të ri për të njëjtën marrëveshje ose kryerja e kësaj nga ana e porositësit sjell heqjen e porosisë, dhe ka efekt qysh nga dita kur i janë njoftuar të porositurit.

  • Neni 930
  • Heqja dorë nga porosia me shpërblim dhe për një kohë të caktuar ose për një punë të caktuar, detyron porositësin të shpërblejë dëmet, po qe se është bërë përpara mbarimit të afatit apo të kryerjes së punës, përveç kur ekziston një shkak i drejtë.
    Kur porosia është me afat të pacaktuar, heqja dorë detyron porositësin për shpërblimin e dëmit, po qe se nuk është bërë një njoftim paraprak në kohën e përshtatshme, përveç rastit kur ka një shkak të drejtë për revokim.

  • Neni 931
  • I porosituri që heq dorë nga porosia pa ndonjë shkak të drejtë duhet t’i shpërblejë dëmet porositësit. Kur porosia është me afat të pacaktuar, i porosituri që heq dorë pa ndonjë shkak të drejtë detyrohet të shpërblejë dëmin po qe se nuk ka bërë një njoftim paraprak në kohën e përshtatshme.
    Në çdo rast, heqja dorë duhet bërë në një mënyrë dhe në një kohë të tillë që porositësi të marrë masa për të vepruar ndryshe, përveç rastit të një vështirësie të madhe nga ana e të porositurit.

  • Neni 932
  • Në qoftë se porosia është dhënë nga disa persona me një akt të vetëm dhe për një çështje me interes të përbashkët, heqja dorë nuk ka efekt kur nuk është bërë nga të gjithë të porositurit, përveç rastit kur ka një shkak të drejtë për heqjen dorë.

  • Neni 933
  • Aktet që i porosituri ka kryer përpara se të marrë vesh shuarjen e porosisë janë të vlefshme kundrejt porositësit dhe trashëgimtarëve të tij.

  • Neni 934
  • Porosia e dhënë disa personave që mendohet të punojnë bashkërisht shuhet edhe po qe se shkaku i shuarjes ka të bëjë vetëm me njërin prej të porositurve, përveç kur në marrëveshje është parashikuar ndryshe.