strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU XIX - HUAJA

  • Neni 1050
  • Me kontratën e huasë njëra palë (huadhënësi) i jep në pronësi palës tjetër (huamarrësit) një shumë të hollash ose sende që përcaktohen në numër, me peshë ose me masë dhe huamarrësi detyrohet t’i kthejë huadhënësit aq të holla, ose aq sende të atij lloji dhe të asaj cilësie, brenda afatit të caktuar në kontratë ose, kur nuk është caktuar afat, me kërkesën e huadhënësit.

  • Neni 1051
  • Përveç kur me marrëveshje të palëve është parashkuar ndryshe, huamarrësi duhet t’i paguajë huadhënësit kamatat.
    Kamatat, për të cilat është rënë dakord, paguhen çdo vit, përveç kur palët kanë parashikuar ndryshe.
    Mospagimi i kamatave përbën mospërmbushje thelbësore të detyrimit.

  • Neni 1052
  • Në rast se palët janë marrë vesh për kthimin me këste të parave ose të sendeve dhe huamarrësi nuk përmbush detyrimin e pagimit të dy kësteve ose nuk përmbush, me një vonesë prej më shumë se tre muaj, pagimin e vetëm një kësti, huadhënësi mund të kërkojë kthimin e menjëhershëm të parave ose të sendeve të dhënë hua.

  • Neni 1053
  • Kur kthimi i sendeve të dhëna hua është bërë i pamundur ose tepër i vështirë pa fajin e debitorit, ky është i detyruar të paguajë vleftën e tyre, duke marrë parasysh kohën dhe vendin në të cilën do të bëhej kthimi.

  • Neni 1054
  • Huadhënësi është përgjegjës për dëmin që i ka shkaktuar huamarrësit, për të metat e sendeve të dhëna hua, në qoftë se nuk provon se nuk ishte faji i tij që nuk kishte dijeni për ato.
    Në qoftë se huaja është pa shpërblim, huamarrësi është përgjegjës vetëm në rastin kur, duke i ditur cenet, nuk e ka njoftuar huadhënësin për to.

  • Neni 1055
  • Kush ka premtuar të japë hua, mund të refuzojë të përmbushë detyrimin, po qe se kushtet pasurore të palës tjetër janë në gjëndje të tillë sa e bëjnë tepër të vështirë kthimin dhe huadhënësit nuk i janë ofruar garanci të përshtatshme.