strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU XX - FRANCHISING

  • Neni 1056 - Përkufizimi
  • Kontrata franchising përmban një raport detyrimesh të vazhdueshme me të cilin ndërmarrje të pavarura detyrohen ndërmjet njëra-tjetrës që të nxisin e të zhvillojnë bashkërisht tregtinë dhe kryerjen e shërbimeve, në zbatim të detyrimeve të veçanta.

  • Neni 1057 - Detyrimet e franchisor-it
  • Franchisor-i (franshizdhënësi) ka detyrimin të vërë në dispozicion të franchizee-së (franshizmarrësit) një tërësi të standardizuar të drejtash jo materiale, modelesh, skicash, idesh fitimi, tregtimi dhe organizimi e njohuri të tjera të përshtatshme për zhvillimin e tregtisë.
    Ndërkaq ai është i detyruar të ruajë gjithë këtë program detyrimesh nga cenimi prej të tretëve, ta zhvillojë atë vazhdimisht dhe të mbështesë zbatimin e tij nga franshizmarrësi me udhëzime, informacione e perfeksionime.

  • Neni 1058 - Marrëdhëniet parakontraktore
  • Në bisedimet për përfundimin e kontratës palët duhet t’i tregojnë njëra-tjetrës gjendjen e punëve tregtare që kanë të bëjnë me kontratën franchise dhe veçanërisht programin e detyrimeve franchise, si dhe të informojnë njëri-tjetrin sipas parimeve të mirëbesimit. Ata janë të detyruar të ruajnë sekretin e informatave konfidenciale, edhe po të mos përfundohet kontrata.
    Kush shkel këtë detyrim, detyrohet të shpërblejë dëmin. Kjo e drejtë parashkruhet me kalimin e tre vjetëve nga dita e pushimit të bisedimeve.
    Pala që ka marrë pjesë në bisedime mund të kërkojë pagimin e shpenzimeve të bëra me besim të ligjshëm në përfundimin e kontratës, e cila nuk u përfundua për shkak të një sjelljeje të qëllimshme të palës tjetër.

  • Neni 1059 - Forma e kontratës
  • Kontrata franchising duhet të bëhet me shkresë duke përcaktuar ndër të tjera një përkufizim të njëzëshëm të detyrimeve të ndërsjella të palëve, kohëzgjatjen e kontratës dhe të elementeve të tjera thelbësore të saj. Teksti i kontratës duhet të përmbajë një përshkrim të plotë të programit e të detyrimeve franchising.

  • Neni 1060 - Heqja dorë nga kontrata
  • Kohëzgjatja e kontratës vendoset me marrëveshje të palëve, duke respektuar kërkesat e diktuara nga tregtia dhe shërbimet përkatëse.
    Kur në kontratë nuk është përcaktuar afat, ose afati është më tepër se dhjetë vjet, secila palë ka të drejtë të heqë dorë nga kontrata, duke e njoftuar palën tjetër një vit më parë.
    Në rast pushimi të kontratës si rrjedhim i plotësimit të afatit ose heqjes dorë prej saj dhe përpara paraqitjes aktuale të raportit të punëve, palët, të udhëhequra nga parimet e mirëbesimit, bëjnë një përpjekje për të rënë dakord për ripërtëritjen e kontratës në kushte të njëjta ose të ndryshuara.

  • Neni 1061 - Ndalimi i konkurrencës
  • Edhe pas pushimit të marrëdhënieve kontraktore palët kanë reciprokisht detyrimin për një konkurencë të ndershme.
    Mbi këtë bazë, franchismarrësit mund t’i imponohet një ndalim i konkurencës lokale për një kohë deri në një vit.
    Në qoftë se nga ndalimi i konkurrencës rezulton një pakësim i veprimtarisë së tij profesionale, franchismarrësit i jepet një kompensim financiar i barasvlershëm, pa marrë parasysh pushimin e kontratës.

  • Neni 1064 - Heqja dorë
  • Në rast shkelje detyrimesh kontraktore që vënë seriozisht në rrezik qëllimin për zhvillimin e tregtisë, pala kontraktuese ka të drejtën të heqë dorë nga kontrata, pa iu referuar afatit.