DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

  • Neni 1113
  • Me kontratën e sigurimit, njëra palë (siguruesi), në qoftë se vërtetohet ngjarja e parashikuar në kontratë, detyrohet:

    a) në rastin e sigurimit të pasurisë t’i shpërblejë palës tjetër ose një personi të tretë, në dobinë e të cilit është lidhur kontrata, dëmin e pësuar brenda kufijve të shumës që është parashikuar në kontratë;

    b) në rastin e sigurimit të personit t’i paguajë palës tjetër ose një personi të tretë, në dobinë e të cilit është lidhur kontrata, shumën e sigurimit që është parashikuar në kontratë.

    I siguruari detyrohet të paguajë primin (çmimin e sigurimit) të caktuar në kontratë. Siguruesi mund të jetë person publik ose privat.

  • Neni 1114
  • Kontrata e sigurimit duhet të bëhet me shkresë, me anë të dëshmisë të sigurimit (policës së sigurimit) që siguruesi i lëshon të siguruarit, përndryshe është e pavlefshme.

  • Neni 1115
  • Në dëshminë e sigurimit të tregohen sidomos:
    a) emri i siguruesit;
    b) emri i personit të siguruar, në rastin e sigurimit të personit, pasuria e siguruar dhe vendi ku ndodhet kjo pasuri në rastin e sigurimit të pasurisë;
    c) ngjarja me vërtetimin e së cilës siguruesi të përmbushë detyrimin që ka marrë në kontratë;
    ç) fillimi dhe mbarimi i kontratës së sigurimit (afati i sigurimit);
    d) koha nga e cila fillon përgjegjësia e siguruesit;
    e) vlerësimi i pasurisë në ato raste që kjo gjë kërkohet për një lloj të caktuar sigurimi;
    ë) primet e sigurimit dhe afatet e pagimit të tyre.

    Kur sipas ligjit ose sipas kontratës shpërblimi i sigurimit ose shumat e sigurimit duhet t’i paguhen jo vetëm të siguruarit, por edhe një personi të tretë, në dobinë e të cilit është lidhur kontrata, ky kusht duhet të tregohet në dëshminë e sigurimit.

  • Neni 1116
  • Kur humbet dëshmia e sigurimit, siguruesi, me kërkesën dhe shpenzimet e të siguruarit, duhet të lëshojë një dublikatë të saj.

  • Neni 1117
  • I siguruari duhet t’i njoftojë siguruesit, me rastin e lidhjes së kontratës, të gjitha rrethanat për të cilat ka dijeni dhe që kanë rëndësi thelbësore për përcaktimin e natyrës dhe të masës së rrezikut.
    Quhet se kanë rëndësi thelbësore të gjitha rrethanat për të cilat siguruesi ka pyetur me shkresë të siguruarin.
    Kontrata e sigurimit e lidhur pa u marrë përgjigja në ndonjë nga këto pyetje, nuk mund të jetë, për këtë shkak, e pavlefshme.

  • Neni 1118
  • Kur pas lidhjes së kontratës së sigurimit del se i siguruari duke ditur ka dhënë informata jo të sakta në kërkesën ose në dokumentet e paraqitura prej tij dhe në bazë të të cilave është lidhur kontrata e sigurimit, siguruesi brenda tre muajve nga marrja dijeni ka të drejtë:

    a) të ndryshojë masën e primit të sigurimit, të shumës së sigurimit ose afatin e sigurimit;

    b) të zgjidhë kontratën e sigurimit në rast se ka rrethana të tilla, që po t’i dinte siguruesi nuk do të kishte lidhur kontratën. Në këtë rast,
    primet e sigurimit deri në kohën që kërkohet prishja e kontratës, e në çdo rast primi i sigurimit për t’u paguar në vitin e parë të kontratës, nuk i kthehen të siguruarit.

    Në qoftë se vërtetohet ngjarja e sigurimit përpara se të fillojë afati i treguar në paragrafin e mësipërm, siguruesi nuk është i detyruar të paguajë shumën e sigurimit.
    Kur kontrata e sigurimit është lidhur për më shumë se një person ose sende, ajo mbetet e vlefshme për ata persona ose sende, të cilëve nuk u referohen deklarimet e pasakta apo heshtja.

  • Neni 1119
  • Dhënia e informatave të pasakta në kërkesën ose në dokumentet e paraqitura, në bazë të të cilave është lidhur kontrata e sigurimit, ose lënia në harresë e informatave kur vërtetohet se nuk janë bërë me dashje ose nga pakujdesia e rëndë, nuk përbën shkak për zgjidhjen e kontratës, por siguruesi mund të heqë dorë nga kontrata, duke e njoftuar të siguruarin me shkrim, brenda 3 muajve nga marrja dijeni e tyre.
    Në qoftë se ngjarja e sigurimit vërtetohet përpara se pasaktësitë e informatave ose lënia në harresë e tyre, të njihen nga siguruesi, ose përpara se të jetë deklaruar heqja dorë nga kontrata, shuma e detyruar ulet në proporcion me diferencën midis shumës së caktuar në kontratë dhe asaj që do të ishte zbatuar, në se do të njihej gjendja e vërtetë e fakteve.

  • Neni 1120
  • Kur kontrata e sigurimit lidhet në emër e për llogari të të tretëve dhe këta janë në dijeni për pasaktësinë e deklarimeve ose të harresave në lidhje me rrezikun (rastin e sigurimit), në favor të siguruesit zbatohen dispozitat e neneve 1118, 1119 të këtij Kodi.

  • Neni 1121
  • Kontrata e sigurimit është e pavlefshme, në qoftë se vërtetohet se rreziku i sigurimit nuk ka ekzistuar asnjëherë ose ka pushuar së qeni para përfundimit të kontratës.

  • Neni 1122
  • Kontrata e sigurimit zgjidhet në qoftë se rreziku i sigurimit pushon së qeni pas përfundimit të kontratës, por siguruesi ka të drejtën e pagimit të primeve, derisa pushimi i qenies së rrezikut të sigurimit t’i jetë njoftuar ose t’i jetë bërë e ditur në një mënyrë tjetër.

  • Neni 1123
  • I siguruari gjatë kohës që kontrata e sigurimit është në fuqi detyrohet t’i njoftojë siguruesit të gjitha ndryshimet e rrethanave për të cilat ka marrë dijeni pas lidhjes së kontratës së sigurimit dhe që mund të influencojë mbi shtimin e rrezikut.
    Në qoftë se i siguruari nuk bën njoftimin e sipërm, siguruesi ka të drejtë, që nga çasti i shtimit të rrezikut, të ndryshojë masën e primit të sigurimit, të shumës së sigurimit, afatin e sigurimit ose të zgjidhë kontratën.
    Kur i siguruari nuk pranon ndryshimin ose zgjidhjen e kontratës, ka të drejtë t’i drejtohet me padi gjykatës.

  • Neni 1124
  • Kontrata e sigurimit hyn në fuqi në orën 24 të ditës së përfundimit të kontratës dhe mbaron në orën 24 të ditës së fundit të kohëzgjatjes së kontratës.
    Kur afati i kontratës është mbi 10 vjet, palët me kalimin e këtij afati dhe në rast se nuk kanë ndonjë marrëveshje të kundërt, kanë të drejtë të heqin dorë nga kontrata, duke bërë një paralajmërim 6 muaj më parë.
    Kontrata mund të zgjatet heshtazi një ose disa herë, por në çdo rast jo më shumë se për dy vjet.
    Kjo dispozitë nuk zbatohet për kontratën e sigurimit të jetës.

  • Neni 1125
  • Kontraktuesi detyrohet t’i paguajë siguruesit primin e sigurimit në afatet e caktuara në kontratë. Në qoftë se primi ose kësti i parë i tij nuk paguhet në afat, sigurimi pezullohet deri në orën 24 të ditës që kontraktuesi paguan shumën që detyrohet.
    Kur kontraktuesi nuk paguan primet në vazhdim, sipas afateve të caktuara, sigurimi pezullohet nga ora 24 e ditës së pesëmbëdhjetë pas mbarimit të afatit të pagimit dhe siguruesi ka të drejtë të kërkojë zgjidhjen e kontratës.

  • Neni 1126
  • Kur vërtetohet ngjarja e sigurimit, i siguruari detyrohet të njoftojë siguruesin brenda afatit të parashikuar në kontratë. Në qoftë se i siguruari nuk bën këtë njoftim, siguruesi ka të drejtë të mos paguajë shpërblimin e sigurimit ose shumën e sigurimit.

  • Neni 1127
  • I siguruari ose personi i tretë, në dobinë e të cilit është lidhur kontrata e sigurimit, detyrohet të provojë se ka ndodhur ngjarja e sigurimit dhe, në sigurimin e pasurisë të provojë edhe sasinë e dëmit, si dhe t’i njoftojë siguruesit, sipas kërkesës së këtij, të gjitha informatat që janë në dijeni të tij dhe që kanë lidhje me ngjarjen e sigurimit. Në rastin e sigurimit të personit, kur vërtetohet humbja e aftësisë për punë, bëhet edhe ekspertimi mjekësor.
    Kur nuk përmbushen detyrimet e sipërme, siguruesi ka të drejtë të mos paguajë shpërblimin e sigurimit ose shumën e sigurimit.

  • Neni 1128
  • Shpërblimi i sigurimit ose shuma e sigurimit që duhet t’i paguhet jo të siguruarit, por personit të tretë, në dobinë e të cilit është lidhur kontrata, nuk mund të sekuestrohet për borxhet e të siguruarit.
    Siguruesi ka të drejtë të ndalojë nga shpërblimi i sigurimit ose nga shuma e sigurimit atë që ka për të marrë i siguruari nga e njëjta kontratë e sigurimit (primin etj.).

  • Neni 1129
  • Siguruesi mund t’i kundrejtojë personit, në dobinë e të cilit është lidhur kontrata, të gjitha prapësimet që ai mund t’i kundrejtojë të siguruarit nga e njëjta kontratë sigurimi.

  • Neni 1130
  • Kur një person lidh një kontratë sigurimi në emër të një tjetri, pa patur një tagër të tillë prej tij, ky i fundit mund të pranojë kontratën e lidhur edhe pas vërtetimit të ngjarjes së sigurimit.
    Personi që ka lidhur kontratën është i detyruar të zbatojë vetë detyrimet që rrjedhin nga kontrata, deri në momentin kur siguruesi ka marrë njoftim për pranimin ose jo të saj, nga personi në emër të të cilit është lidhur kontrata.
    Çmimi i sigurimit i paguhet siguruesit nga kontraktuesi i mësipërm, për të gjithë periudhën deri në momentin kur siguruesi ka marrë dijeni për mospranimin e kontratës.

  • Neni 1131
  • Siguruesi nuk është përgjegjës kur vdekja ose humbja e aftësisë për punë të të siguruarit, si dhe kur humbja ose dëmtimi i pasurisë janë shkaktuar drejt për drejt nga veprime lufte, përveç kur në kontratën e sigurimit është parashikuar ndryshe.

  • Neni 1132
  • Kushtet për llojet e ndryshme të sigurimit vullnetar të pasurisë dhe të personit caktohen në kontratë.

  • Neni 1133
  • Dispozitat e këtij kreu nuk shtrihen mbi sigurimin e detyrueshëm, i cili rregullohet nga dispozita të veçanta.
    Sigurimi në lundrimin detar rregullohet nga Kodi i Lundrimit Detar.