strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

SEKSIONI VIII - Falsifikimi i dokumenteve

  • Neni 186 - Falsifikimi i dokumenteve
  • (Ndryshuar me ligjin nr.9188, datë 12.2.2004, neni 4)

    Falsifikimi ose përdorimi i dokumenteve të falsifikuara dënohet me burgim deri në tre vjet dhe me gjobë nga dyqind mijë deri në gjashtëqind mijë lekë.
    Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë.
    Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, dënohet me burgim nga një vit deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga pesëqind mijë deri në dy milionë lekë.

  • Neni 186/a - Falsifikimi kompjuterik
  • (Shtuar me ligjin nr.10 023, datë 27.11.2008, neni 18)

    Futja, ndryshimi, fshirja apo heqja e të dhënave kompjuterike, pa të drejtë, për krijimin e të dhënave të rreme, me qëllim paraqitjen dhe përdorimin e tyre si autentike, pavarësisht nëse të dhënat e krijuara janë drejtpërdrejt të lexueshme apo të kuptueshme, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në gjashtë vjet.
    Kur kjo vepër kryhet nga personi, që ka për detyrë ruajtjen dhe administrimin e të dhënave kompjuterike, në bashkëpunim, më shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda për interesin publik, dënohet me burgim tre deri në dhjetë vjet.

  • Neni 187 - Falsifikimi i dokumenteve shkollore
  • Falsifikimi apo përdorimi i dokumenteve shkollore të falsifikuara dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
    Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

  • Neni 188 - Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore
  • Falsifikimi apo përdorimi i dokumenteve të falsifikuara shëndetësore dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
    Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

  • Neni 189 - Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave
  • (Ndryshuar me ligjin nr.9188, datë 12.2.2004, neni 5)

    Falsifikimi ose përdorimi i letërnjoftimeve, i pasaportave apo i vizave të falsifikuara dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet dhe me gjobë nga katërqind mijë deri në një milion lekë.
    Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet dhe me gjobë nga gjashtëqind mijë deri në dy milionë lekë.
    Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë letërnjoftimin, pasaportën apo vizën, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga një milion deri në tre milionë lekë.

  • Neni 190 - Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve
  • (Ndryshuar me ligjin nr.9188, datë 12.2.2004, neni 6)
    (Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 15)

    Falsifikimi ose përdorimi i vulave, i stampave apo i formularëve të falsifikuar ose paraqitja e rrethanave të rreme në këto të fundit, që u drejtohen organeve shtetërore, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet dhe me gjobë nga katërqind mijë deri në një milion lekë.
    Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet dhe me gjobë nga gjashtëqind mijë deri në dy milionë lekë.
    Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga një milion deri në tre milionë lekë.

  • Neni 191 - Falsifikimi i akteve të gjendjes civile
  • (Ndryshuar me ligjin nr.9188, datë 12.2.2004, neni 7)

    Falsifikimi apo përdorimi i akteve të gjendjes civile të falsifikuara dënohet me burgim nga tre muaj deri në dy vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në gjashtëqind mijë lekë.
    Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet dhe me gjobë nga pesëqind mijë deri në një milion lekë.
    Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë aktin, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet dhe me gjobë nga një milion deri në tre milionë lekë.

  • Neni 192 - Prodhimi i mjeteve për falsifikim të dokumenteve
  • Prodhimi apo mbajtja e mjeteve për të kryer falsifikim të dokumenteve përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

  • Neni 192/a - Zhdukja dhe vjedhja e dokumenteve
  • (Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 53)

    Asgjësimi me çdo mënyrë i dokumenteve të arkivit ose të bibliotekës, si dhe zhdukja e vjedhja e dokumenteve që janë të një rëndësie të veçantë, në kundërshtim me kërkesat e ligjit, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
    Vjedhja e dokumenteve të arkivit ose të bibliotekës, që janë të një rëndësie të veçantë, ose eksportimi i tyre në kundërshtim me kërkesat e ligjit, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

  • Neni 192/b - Ndërhyrja në transmetimet kompjuterike
  • (Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 53;
    ndryshuar me ligjin nr.10 023, datë 27.11.2008, neni 19)

    Hyrja e paautorizuar apo në tejkalim të autorizimit për të hyrë në një sistem kompjuterik a në një pjesë të tij, nëpërmjet cenimit të masave të sigurimit, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
    Kur kjo vepër kryhet në sistemet kompjuterike ushtarake, të sigurisë kombëtare, të rendit publik, të mbrojtjes civile, të shëndetësisë apo në çdo sistem tjetër kompjuterik, me rëndësi publike, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.