Neni 298 - Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit

(Ndryshuar me ligjin nr.9188, datë 12.2.2004, neni 9;
ndryshuar titulli dhe paragrafi i parë me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 27)

Strehimi, shoqërimi, vënia në dispozicion ose përdorimi i mjeteve të lundrimit, të fluturimit ose i mjeteve të tjera të transportit apo çdo ndihmë tjetër, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit të Republikës së Shqipërisë ose për hyrjen e paligjshme të një personi në një shtet tjetër, pa qenë shtetas i tij ose që nuk ka leje qëndrimi në atë shtet, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një deri në katër vjet dhe me gjobë nga tre milionë lekë deri në gjashtë milionë lekë.
Kur ndihma jepet për qëllime fitimi, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga katër milionë deri në tetë milionë lekë.
Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet dhe me gjobë nga gjashtë milionë deri në tetë milionë lekë.
Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen e të dëmtuarit, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm, si dhe me gjobë nga tetë milionë deri në dhjetë milionë lekë.
Kur vepra penale kryhet nëpërmjet shfrytëzimit të funksionit shtetëror ose shërbimit publik, dënimi me burgim dhe gjoba shtohen me ¼ e dënimit të dhënë.