strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU IV - LIRITË DHE TË DREJTAT EKONOMIKE, SOCIALE DHE KULTURORE

  • Neni 49
  • 1. Secili ka të drejtë të fitojë mjetet e jetesës së tij me punë të ligjshme, që e ka zgjedhur ose pranuar vetë. Ai është i lirë të zgjedhë profesionin, vendin e punës, si dhe sistemin e kualifikimit të vet profesional.
    2. Të punësuarit kanë të drejtën e mbrojtjes shoqërore të punës.

  • Neni 50
  • Të punësuarit kanë të drejtë të bashkohen lirisht në organizata sindikale për mbrojtjen e interesave të tyre të punës.

  • Neni 51
  • 1. E drejta e të punësuarit për grevë që ka të bëjë me marrëdhëniet e punës, është e garantuar.
    2. Kufizime për kategori të veçanta të punësuarish mund të vendosen me ligj për t'i siguruar shoqërisë shërbimet e domosdoshme.

  • Neni 52
  • 1. Kushdo ka të drejtën e sigurimeve shoqërore në pleqëri ose kur është i paaftë për punë, sipas një sistemi të caktuar me ligj.
    2. Kushdo, kur mbetet pa punë për shkaqe të pavarura nga vullneti i tij dhe kur nuk ka mjete të tjera jetese, ka të drejtën e ndihmës në kushtet e parashikuara me ligj.

  • Neni 53
  • 1. Kushdo ka të drejtë të martohet dhe të ketë familje.
    2. Martesa dhe familja gëzojnë mbrojtjen e veçantë të shtetit.
    3. Lidhja dhe zgjidhja e martesës rregullohen me ligj.

  • Neni 54
  • 1. Fëmijët, të rinjtë, gratë shtatzëna dhe nënat e reja kanë të drejtën e një mbrojtjeje të veçantë nga shteti.
    2. Fëmijët e lindur jashtë martese kanë të drejta të barabarta me të lindurit nga martesa.
    3. Çdo fëmijë ka të drejtë të jetë i mbrojtur nga dhuna, keqtrajtimi, shfrytëzimi dhe përdorimi për punë, e veçanërisht nën moshën minimale për punën e fëmijëve, që mund të dëmtojë shëndetin, moralin ose të rrezikojë jetën a zhvillimin e tij normal.

  • Neni 55
  • 1. Shtetasit gëzojnë në mënyrë të barabartë të drejtën për kujdes shëndetësor nga shteti.
    2. Kushdo ka të drejtë për sigurim shëndetësor sipas procedurës së caktuar me ligj.

  • Neni 56
  • Kushdo ka të drejtë të informohet për gjendjen e mjedisit dhe për mbrojtjen e tij.

  • Neni 57
  • 1. Kushdo ka të drejtën për arsimim.
    2. Arsimi shkollor i detyrueshëm caktohet me ligj.
    3. Arsimi i mesëm i përgjithshëm publik është i hapur për të gjithë.
    4. Arsimi i mesëm profesional dhe i lartë mund të kushtëzohet vetëm nga kritere aftësie.
    5. Arsimi i detyrueshëm, si dhe arsimi i mesëm i përgjithshëm në shkollat publike është falas.
    6. Nxënësit dhe studentët mund të arsimohen edhe në shkolla jopublike të të gjitha niveleve, të cilat krijohen e funksionojnë në bazë të ligjit.
    7. Autonomia e institucioneve të arsimit të lartë dhe liria akademike janë të garantuara me ligj.

  • Neni 58
  • 1. Liria e krijimit artistik dhe e kërkimit shkencor, vënia në përdorim si dhe përfitimi prej arritjeve të tyre janë të garantuara për të gjithë.
    2. E drejta e autorit mbrohet me ligj.