Neni 16 - E drejta dhe detyrimi i personave juridikë dhe shoqërive të thjeshta

1. Të drejtën për të kërkuar hapjen e një procedure falimentimi për pasurinë e një personi juridik e gëzon çdo kreditor, anëtarët e organit drejtues ose edhe çdo ortak i thjeshtë ose likuidator, në rastin e shoqërive të thjeshta.

2. Në rastin e një personi juridik, çdo anëtar i organit drejtues është i detyruar të kërkojë hapjen e menjëhershme të procedurës së falimentimit, por jo më vonë se 21 ditë nga data kur personi juridik është në gjendje paaftësie paguese, në kuptim të pikës 4 të nenit 13 të këtij ligji. Këta persona janë personalisht përgjegjës për dëmshpërblimin e kreditorëve nëse kreditorët pësojnë humbje për shkak të mosparaqitjes së kërkesës brenda këtij afati 21-ditor.

3. Nëse kërkesën nuk e paraqesin bashkërisht të gjithë anëtarët e organit drejtues, të gjithë ortakët e thjeshtë të shoqërisë së thjeshtë ose të gjithë likuidatorët, kërkesa pranohet nga seksioni tregtar i gjykatës së rrethit nëse janë të mjaftueshme dhe bindëse shkaqet e parashtruara për hapjen e procedurës së falimentimit. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit, përpara se të marrë vendim, dëgjon anëtarët e tjerë të organit drejtues, ortakët e thjeshtë ose likuidatorët.