KREU I - DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

  • Neni 1
  • Ky ligj përcakton regjimin juridik të ndërmarrjeve shtetërore të cilat, në përputhje me objektin e parashikuar në aktin e krijimit të tyre, ushtrojnë veprimtari prodhimi, tregtie, apo shërbimi duke pasur si qëllim realizimin e fitimit dhe shtimin e pasurisë.

  • Neni 2
  • Ndërmarrjet shtetërore janë njësi ekonomike dhe kanë personalitet juridik. Shteti është zotërues i vetëm i kapitalit të këtyre ndërmarrjeve dhe, për rrjedhojë, ushtron të drejtat e tij si pronar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me dispozitat e këtij ligji.

  • Neni 3
  • 1. Ndërmarrjet shtetërore krijohen me vendim të organeve të administratës shtetërore, qendrore ose lokale.

    2. Ndërmarrjet shtetërore e fitojnë personalitetin juridik pas regjistrimit në gjykatë dhe në organin financiar të juridiksionit ku kanë qendrën e tyre, sipas rregullave të përgjithshme.

  • Neni 4
  • Ndërmarrjet shtetërore mund të krijojnë filiale të cilat kanë personalitet juridik dhe ushtrojnë veprimtarine e tyre nën kontrollin e ndërmarrjes.

  • Neni 5
  • Ndërmarrjet shtetërore, përveç rasteve kur me dispozita të veçanta parashikohet ndryshe, e ushtrojnë verpimtarinë e tyre në të njëjtat kushte, si dhe ndërmarrjet e tjera, në përputhje me legjislacionin në fuqi si dhe me dispozitat e këtij ligji. Ato veprojnë në kushtet e konkurrencës së lirë e të ligjshme dhe nuk gëzojnë asnjë privilegj ose të drejtë që prish kushtet e kësaj konkurrence.

  • Neni 6
  • (Shtuar me ligjin nr.7670, datë 9.2.1993, neni 1)

    1. Ndërmarrjet shtetërore përcaktojnë vetë programin ekonomik e financiar dhe marrin vendime për realizimin e tij duke respektuar legjislacionin në fuqi.

    2. Ndërmarrjet shtetërore përcaktojnë lirisht çmimet e mallrave apo shërbimeve, në bazë të kërkesës e ofertës me përjashtim të atyre rasteve që përcaktohen me dispozita të veçanta.

    3. Ndërmarrjet shtetërore sigurojnë nëpërmjet veprimtarisë së tyre ekuilibrin financiar duke i shitur prodhimet, mallrat apo shërbimet në tregun e brendshëm apo të jashtëm.

    4. Ndërmarrjet dhe personat e tjerë juridikë shtetërorë jobuxhetorë lejohen të marrin e t'i japin kredi subjekteve shtetërorë a privatë për blerjen dhe shitjen e mallrave dhe shërbimeve të tyre.

    5. Këshilli i Ministrave rregullon me dispozita të veçanta kushtet dhe afatet specifike të këtyre kredive.

  • Neni 7
  • Ndërmarrjet shtetërore, që venë në shfrytëzim pasuri kombëtare të një rëndësie të veçantë, marrin parasysh në programet e tyre ekonomike e financiare edhe detyrat që rrjedhin nga programet e përgjithshme të shtetit për zhvillimin e ekonomisë apo të degëve të veçanta të saj. Këshilli i Ministrave mund të parashikojë për këto ndërmarrje forma të tjera organizimi, përfshirë edhe bashkësi ekonomike, si dhe statuse të posaçme, por pa prishur kushtet e përgjithshme të këtij ligji.

  • Neni 8
  • Ndërmarrjet shtetërore mbajnë kontabilitet, përgatitin e paraqesin llogaritë vjetore dhe raportojnë periodikisht treguesit dhe të dhënat statistikore, sipas dispozitave ligjore në fuqi.

  • Neni 9
  • 1. Llogaritë vjetore të ndërmarrjeve shtetërore verifikohen dhe vërtetohen nga një ose disa kontrollorë të jashtëm, kushtet profesionale dhe personale të të cilëve parashikohen me dispozita të veçanta. Ky kontroll është i pavarur nga kontrollet e parashikuara me dispozita ligjore të tjera dhe nuk i zëvendëson ata.

    2. Kontrollorët e llogarive caktohen për një periudhë 4 vjeçare nga organi i administratës shtetërore, i cili emëron edhe këshillin drejtues të ndërmarrjes.

  • Neni 10
  • 1. Drejtori i ndërmarrjes paraqit periodikisht dhe detyrimisht në mbyllje të çdo viti, raport për veprimtarinë ekonomike e financiare të ndërmarrjes.

    2. Raporti vjetor i veprimtarisë pasi miratohet nga Këshilli Drejtues i ndërmarrjes, i dërgohet organit të administratës shtetërore përkatëse, bashkë me llogaritë vjetore të vërtetuara sipas kritereve të caktuara në nenin 9 të këtij ligji.

    3. Raporti vjetor i veprimtarisë ekonomike e financiare të ndërmarrjes u bëhet i njohur, nëpërmjet përfaqësuesve të sindikatave, edhe punonjësve të ndërmarrjes.

  • Neni 11
  • 1. Ndërmarrjet shtetërore e përdorin shumën e fitimit vjetor të realizuar, pas zbritjes të tatimit, për qëllimet dhe sipas rradhës që vijon:
    - për krijimin e rezervës të kapitalit, - për krijimin e rezervës për zhvillim, - për krijimin e rezervës për ndihma sociale, - për krijimin e rezervës për shpërblim suplementar të punonjësve, - për krijimin e rezervave të tjera.

    2. Shteti nuk tërheq nga ndërmarrja shtetërore pjesë të fitimit, përveç detyrimit që rrjedh nga legjislacioni tatimor.

  • Neni 12
  • Rezerva e kapitalit në ndërmarrjet shtetërore krijohet çdo vit deri sa shuma e saj të arrijë jo më pak se një e dhjeta e shumës së kapitalit. Ajo llogaritet jo më pak se 5 për qind mbi shumën e fitimit vjetor, që mbetet pas zbritjes të humbjeve të mbartura nga viti ose vitet pasardhës, nëse ka të tilla humbje.

  • Neni 13
  • 1. Rezerva për shpërblime suplementare të punonjësve llogaritet mbi të njëjtën shumë të fitimeve si në nenin 12 dhe jo më shumë se 15 për qind.

    2. Ndërmarrjet shtetërore mund të shpërndajnë shpërblime suplementare për punonjësit vetëm kur disponojnë rezervën përkatëse dhe jo më shumë se 2 paga mujore në vit për secilin punonjës.

  • Neni 14
  • 1. Ndërmarrjet i përballojnë humbjet e pësuara, gjatë ushtrimit të veprimtarisë vjetore, me anë të rezervës së kapitalit. Nëse kjo rezervë mungon ose është e pamjaftueshme, shuma e humbjes të pambuluar mbartet në vitin pasardhës.

    2. Shteti nuk financon humbjet e ndërmarrjes shtetërore, përveç se me ligj, me përjashtim të rasteve të veçanta kur kjo ka të bëjë me subvencionimin e çmimeve të kontrolluara sipas miratimit të Këshillit të Ministrave.

  • Neni 15
  • 1. Ndërmarrja shtetërore garanton dhe përgjigjet me pasurinë e saj për të gjitha detyrimet ndaj të tretëve.

    2. Shteti nuk përgjigjet për detyrimet e ndërmarrjes shtetërore ndaj të tretëve.

  • Neni 16
  • Ndërmarrjet shtetërore i nënshtrohen procedurës së falimentimit në rastet dhe në mënyrën e parashikimit nga legjislacioni përkatës.