strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU II - ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI

  • Neni 17
  • Ndërmarrja shtetërore organizohet dhe funksionon sipas dispozitave të këtij ligji.

  • Neni 18
  • 1. Organi drejtues i ndërmarrjes shtetërore është Këshilli Drejtues.

    2. Këshilli Drejtues është organ kolegjial që realizon drejtimin e veprimtarisë së ndërmarrjes shtetërore.

  • Neni 19
  • 1. Këshilli Drejtues përbëhet nga jo më pak se 5 anëtarë dhe jo më shumë se 7 anëtarë.

    2. Anëtarët e Këshillit Drejtues dhe midis tyre, drejtori emërohet për një periudhë katërvjeçare nga ministri, drejtuesi i institucionit tjetër qendror ose nga organi i pushtetit lokal, të cilët kanë edhe të drejtën e shkarkimit me një vendim të motivuar. Ata mund të riemërohen.

    3. Anëtarët e Këshillit Drejtues si rregull ushtrojnë edhe funksionet drejtuese teknike në ndërmarrje.

    4. Pagat dhe modalitet për shpërblimet suplementare të anëtarëve të Këshillit Drejtues përcaktohen me dispozita të Këshillit të Ministrave.

  • Neni 20
  • Këshilli Drejtues ka të gjitha atributet për të vepruar në emër dhe për llogari të ndërmarrjes. Ai ushtron të drejtat e tij duke respektuar dispozitat ligjore në fuqi.

  • Neni 21
  • 1. Këshilli Drejtues mblidhet sa herë e kërkon interesi i ndërmarrjes, por si rregull jo më pak se një herë në muaj.

    2. Të drejtën e thirrjes së mbledhjes së Këshillit Drejtues e ka drejtori i tij, ose me kërkesën e shumicës së anëtarëve të këshillit.

    3. Mënyrat e thirrjes së Këshillit Drejtues, si dhe procedurat e mbledhjes përfshihen në rregulloren e ndërmarrjes shtetërore.

  • Neni 22
  • Këshilli Drejtues shqyrton probleme të ndryshme vetëm në rastet kur është e pranishme jo më pak se gjysma e anëtarëve të tij. Ai i merr vendimet me shumicë votash të anëtarëve që e
    përbëjnë. Në rast se votat ndahen në mënyrë të barabartë, vota e drejtorit është përcaktuese. Këshilli
    Drejtues mban librin e vendimeve dhe procesverbal, të cilat nënshkruhen nga të gjithë anëtarët e tij.
    219

  • Neni 23
  • Këshilli Drejtues i ndërmarrjes shtetërore merr vendime kolegjiale, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, për këto çështje kryesore:

    1. Për krijimin ose shkrirjen, bashkimin ose ndarjen e filialeve.

    2. Për pjesëmarrjen e ndërmarrjes shtetërore në kapitalin e ndërmarrjeve dhe të shoqërive të tjera, vendase a të huaja.

    3. Për pëcaktimin e pagave të punës, rritjen e tyre dhe shpërblimin suplementar të punonjësve.

    4. Për përcaktimin e kritereve të përgjithshme të marrjes në punë dhe të largimit nga puna të punonjësve.

    5. Për shkarkimin nga funksionet teknike të një anëtari të Këshillit Drejtues me propozim vetëm të drejtorit të ndërmarrjes.

    6. Për shitjen dhe dhënien me qira të mjeteve kryesore të saj.

    7. Për lidhjen e kontratave të huadhënies.

    8. Për lidhjen e kontratave të huamarrjes në tregun kombëtar ose në tregje ndërkombëtare.

    9. Për rregulloren e brendshme të funksionimit të ndërmarrjes dhe problemet sociale që lidhen me kushtet e përgjithshme të punës.

    10. Për miratimin e llogarive vjetore dhe të raportit vjetor të veprimtarisë ekonomike e financiare të ndërmarrjes.

  • Neni 24
  • 1. Drejtori i ndërmarrjes shtetërore përfaqëson ndërmarrjen në të gjitha marrëdhëniet e saj juridike dhe administrative. Ai nënshkruan, nën përgjegjësinë e tij, veç të tjerave, edhe kontratat që lidhen nga ndërmarrja.

    2. Drejtori i ndërmarrjes ka të drejtën të japë urdhëra dhe udhëzime dhe të vendosë sanksione në përputhje me legjislacionin në fuqi.

    3. Drejtori i ndërmarrjes mund t'ia kalojë të drejtën e nënshkrimit njërit prej anëtarëve të Këshillit Drejtues. Kjo e drejtë mund të revokohet në çdo kohë.

  • Neni 25
  • Çdo kontratë a marrëveshje ndërmjet ndërmarrjes nga njëra anë dhe anëtarëve të Këshillit Drejtues ose punonjësve të tjerë të ndërmarrjes nga ana tjetër është e ndaluar, me përjashtim të rasteve të parashikuara në ligj.

  • Neni 26
  • Drejtori i ndërmarrjes dhe anëtarët e tjerë të Këshillit Drejtues, sipas rastit, janë përgjegjës individualisht ose bashkërisht ndaj shtetit, ndaj ndërmarrjes dhe ndaj çdo personi të tretë për çdo shkelje që ata i bëjnë legjislacionit në fuqi, dispozitave të këtij ligji, si dhe për dëmet që mund t'i sjellin ndërmarrjes si pasojë e drejtimit nga ana e tyre.

  • Neni 27
  • Punonjësit e ndërmarrjes përfaqësohen në Këshillin Drejtues nga një i deleguar i cili zgjidhet nga sindikata që ka numrin më të madh të anëtarëve në ndërmarrje. Ai merr pjesë gjatë shqyrtimit të problemeve nga Këshilli Drejtues. Ai nuk ka të drejtë vote.

  • Neni 28
  • Këshilli Drejtues i ndërmarrjes shtetërore nuk mund të marrë një vendim, pa u konsultuar më parë me përfaqësuesit e sindikatave në ndërmarrje, për çështjet e parashikuara në pikat 3, 4 dhe 9 të nenit 23 të këtij ligji.