Neni 62 - Certifikatat e regjistrimit fillestar

QKR-ja, brenda afatit të përcaktuar në këtë ligj për regjistrimin fillestar, i lëshon subjektit të regjistruar certifikatën e regjistrimit, e cila përmban emrin, formën, numrin unik të identifikimit, datën e regjistrimit fillestar dhe selinë ose adresën e vendit kryesor të ushtrimit të veprimtarisë.
Në rast se subjekti i regjistruar ushtron veprimtarinë në më shumë se një vend, QKR-ja lëshon nga një certifikatë regjistrimi për çdo vend të ushtrimit të veprimtarisë. Këto certifikata, përveç adresës përkatëse, përmbajnë, gjithashtu, emrin, formën, datën e regjistrimit fillestar dhe numrin unik të identifikimit të subjektit.
Në rastet kur subjekti ndryshon emrin, formën, selinë apo vendet e ushtrimit të veprimtarisë, QKR-ja zëvendëson certifikatat e lëshuara më parë me një certifikatë të re për çdo vend të ushtrimit të veprimtarisë. Këto certifikata, përveç adresës përkatëse, përmbajnë, gjithashtu, emrin, formën, datën e regjistrimit fillestar dhe numrin unik të identifikimit të subjektit.
Certifikata e regjistrimit lëshohet në një kopje origjinale për çdo vend të ushtrimit të veprimtarisë. Në rast humbjeje apo dëmtimi të certifikatës së regjistrimit, ajo zëvendësohet me një dublikatë të lëshuar nga QKR-ja.
Subjekti detyrohet të afishojë certifikatën përkatëse në çdo vend të ushtrimit të veprimtarisë.