Neni 16 - Heqja e së drejtës së marrjes ose e përdorimit të licencave, autorizimeve, koncesioneve ose subvencioneve

1. Heqja e së drejtës së marrjes ose e përdorimit të licencave, autorizimeve, koncesioneve dhe subvencioneve nga institucione shtetërore, qendrore apo vendore, persona të tjerë juridikë publikë ose të kontrolluar nga ata, jepet për një kohë nga një deri në pesë vjet, kur çmohet se ka efekt parandalues ose pajtohet me natyrën e veprës së kryer.

2. Në rastin e përgjegjësisë për kryerjen e një krimi të parashikuar në shkronjat “a” dhe “b” të pikës 4 të nenit 11 të këtij ligji, dënimi jepet për një afat jo më pak se tre vjet dhe, kur kanë ardhur pasoja të rënda, gjykata mund të vendosë që kjo e drejtë të mos ushtrohet përgjithmonë.