strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU IV - RREGULLA PËR CAKTIMIN E DËNIMIT DHE REHABILITIMI

  • Neni 20 - Rrethana lehtësuese për personat juridikë
  • Përveç sa parashikohet në kreun VI pjesa e përgjithshme e Kodit Penal, dënimi i personave juridikë lehtësohet kur:
    a) personi juridik ka shlyer plotësisht dëmin dhe ka eliminuar pasojat e dëmshme ose të rrezikshme të veprës penale;
    b) personi juridik ka eliminuar mangësitë organizative, që kanë sjellë si pasojë veprën penale, nëpërmjet zbatimit të modeleve organizative, të përshtatshme për parandalimin e veprës penale;
    c) personi juridik ka vënë në dispozicion të ardhurat për qëllime konfiskimi.

  • Neni 21 - Kryerja më shumë se një herë e veprës penale
  • Në rastin kur gjykata vendos për përgjegjësinë e personit juridik për kryerjen e një vepre të re penale brenda pesë vjetëve nga data e kryerjes së veprës së mëparshme penale, masa e gjobës dhe koha e vuajtjes së dënimeve plotësuese, që caktohen për veprën e re penale, shtohen dy deri në tre herë, në varësi të faktit nëse veprat penale të kryera janë kundërvajtje penale ose krime.

  • Neni 22 - Shlyerja e dënimit në rastin e ndarjes së personit juridik
  • 1. Në rastin e ndarjes, personat juridikë që krijohen detyrohen solidarisht për shlyerjen e dënimit me gjobë, të dhënë ndaj personit juridik të ndarë, për vepra penale të kryera përpara datës së ndarjes. Detyrimi i personave juridikë caktohet në varësi të raportit të vlerës efektive të pasurisë neto, që u është transferuar nga personi juridik i ndarë, të kalimit të veprimtarive apo strukturave, që janë përdorur e që për shkak të të cilave është kryer vepra penale.

    2. Dënimi për mbarimin e personit juridik dhe dënimet plotësuese zbatohen ndaj personit ose personave juridikë, që kanë trashëguar veprimtarinë ose strukturën e personit juridik të ndarë, që është përdorur apo për shkak të të cilave është kryer vepra penale.

  • Neni 23 - Caktimi i dënimit me gjobë në rastin e bashkimit ose të ndarjes
  • Nëse bashkimi ose ndarja ndodhin përpara përfundimit të gjykimit, gjykata, në caktimin e dënimit me gjobë, mban parasysh kushtet ekonomike e pasurore të personit juridik, i cili është fillimisht përgjegjës.

  • Neni 24 - Rehabilitimi
  • Personi juridik quhet i padënuar nëse nuk ka kryer një vepër tjetër penale brenda afateve të mëposhtme:

    a) gjatë pesë vjetëve nga data e shlyerjes së plotë të gjobës, në rastin e dënimit me gjobë;
    b) gjatë tre vjetëve nga data e ekzekutimit të tyre, në rastin e dënimeve të tjera.