strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU V - DISPOZITA PROCEDURALE

  • Neni 25 - Personi juridik në procedimin penal
  • Ndaj personit juridik, që ka përgjegjësi për kryerjen e veprës penale, për aq sa është e mundur, zbatohen dispozitat procedurale penale pёr personin në hetim dhe të pandehurin.

  • Neni 26 - Përfaqësimi i personit juridik
  • 1. Personi juridik, që procedohet penalisht, përfaqësohet nga organi i personit juridik ose avokati i emëruar prej tij.

    2. Përfaqësuesi në procedimin penal caktohet brenda 10 ditëve nga njoftimi i prokurorit, nga organet e personit juridik që, sipas ligjit dhe akteve të shoqërisë, kanë të drejtën e vendimmarrjes dhe të përfaqësimit të tij tek të tretët.

    3. Përfaqësues i personit juridik nuk mund të jetë personi, që thirret në cilësinë e dëshmitarit ose procedohet penalisht për të njëjtën vepër penale.

    4. Nëse personi juridik nuk cakton përfaqësuesin e vet brenda afatit të caktuar në pikën 2 të këtij neni, ai caktohet nga organi procedues ose gjykata.

  • Neni 27 - Bashkimi i procedimeve
  • Për veprën penale të kryer nga personi juridik dhe organet apo përfaqësuesit e tij zbatohen rregullat procedurale të bashkimit të procedimeve të lidhura.

  • Neni 28 - Veprime procedurale në fazën e gjykimit të çështjes
  • 1. Në rastin e bashkimit të procedimeve, në fazën e gjykimit të çështjes, i pari që ka të drejtën e paraqitjes së kërkimeve është organi ose përfaqësuesi i personit juridik që ndiqet penalisht.

    2. Paraqitja e provave në procedimin penal caktohet duke u mbështetur në kërkimet e organit të personit juridik ose përfaqësuesit të tij që ndiqet penalisht, pavarësisht nga ato të përfaqësuesit të personit juridik. Personi i parë që pyetet nga gjykata është organi i personit juridik ose përfaqësuesi i tij që ndiqet penalisht për të njëjtën vepër penale.

    3. Në diskutimin përfundimtar, të drejtën e fjalës së fundit e ka organi i personit juridik ose përfaqësuesi i tij që ndiqet penalisht për të njëjtën vepër penale.

  • Neni 29 - Elementet e vendimit
  • Në vendimin e dënimit të personit juridik, përveç elementeve të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale, duhet të përcaktohen edhe:

    a) selia qendrore;
    b) forma e shoqërisë dhe emërtimi;
    c) numri i vendimit të regjistrimit si person juridik;
    ç) gjenealitetet e përfaqësuesit të tij.

  • Neni 30 - Gjendja gjyqësore e personave juridikë
  • 1. Dispozitat e titullit IX kreu III të Kodit të Procedurës Penale zbatohen edhe për personat juridikë të dënuar penalisht, sipas dispozitave të këtij ligji.

    2. Kopjet e vendimeve të dhëna ndaj personave juridikë për kryerjen e veprave penale dërgohen pranë regjistrit përkatës të personave juridikë, ku ata janë të regjistruar, duke bërë edhe shënimet përkatëse, sipas ligjit.

  • Neni 31 - Hyrja në fuqi
  • Ky ligj hyn në fuqi më 1 tetor 2007.
    Ligj nr.9754, datë 14.6.2007 shpallur me dekretin nr.5372, datë 25.6.2007 të
    Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu
    Botuar në Fletoren Zyrtare nr.77, faqe 2319