Neni 112 - Kontributet në natyrë

1. Kur aksionarët japin kontribute në natyrë, këto kontribute duhet të vlerësohen përpara regjistrimit të shoqërisë nga një apo disa ekspertë të caktuar nga gjykata përkatëse. Këta ekspertë janë persona fizikë apo juridikë, të licencuar sipas dispozitave të posaçme, me kompetenca teknike të nevojshme për kryerjen e këtyre vlerësimeve.

2. Raporti i vlerësimit të ekspertëve duhet të përmbajë një përshkrim të hollësishëm të kontributeve në natyrë, si dhe në të duhet të përcaktohen metodat e vlerësimit që janë zbatuar dhe të shprehet nëse vlera e llogaritur, sipas kësaj metode, i korrespondon të paktën vlerës nominale të aksionit dhe, kur është rasti, edhe primit më të lartë të emetimit të aksionit.

3. Aktivet, kuotat apo aksionet e një shoqërie ekzistuese mund të jepen si kontribut në një shoqëri aksionare, vetëm nëse shoqëria, që jep kontributin, ka të paktën 2 vite që është e regjistruar.
Në këtë rast, së bashku me raportin e përmendur në pikën 2 të këtij neni, paraqiten edhe pasqyrat financiare të dy viteve të fundit të shoqërisë në fjalë, si edhe dokumentet për vlerësimin e saj.

4. Raporti i vlerësimit, i përmendur në paragrafët e mësipërm të këtij neni e sipas rastit dhe dokumentet e tjera dorëzohen pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit së bashku me aplikimin për regjistrim.

5. Dispozitat e mësipërme zbatohen, gjithashtu, edhe kur shoqëria, brenda 2 vjetëve pas themelimit blen pasuri ose të drejta nga një prej themeluesve.