Neni 114 - Dispozitat e posaçme për shoqëritë me aksionar të vetëm

1. Nëse përpara regjistrimit të shoqërisë pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit themeluesi i vetëm nuk ka shlyer apo kaluar tërësisht kontributet e tij në para ose natyrë, atëherë ai duhet garantojë shlyerjen e kontributit, nëpërmjet një garancie bankare, me vlerë të njëjtë me kontributin e nënshkruar me afat vlefshmërie jo më shumë se njëvjeçar e t’ia paraqesë këtë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit së bashku me aplikimin për regjistrim. Nëse në përfundim të afatit njëvjeçar të garancisë bankare aksionari nuk i deklaron bankës shlyerjen tërësisht të kontributit të parashikuar në statut, shuma e garancisë bankare kalon automatikisht për llogari të shoqërisë për shlyerjen e kapitalit.

2. Kur numri i aksionarëve bie në një, aksionari i vetëm duhet t’i njoftojë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit zvogëlimin e numrit të aksionarëve, si dhe emrin e tij. Nëse aksionari i vetëm nuk e përmbush këtë detyrim, ai përgjigjet personalisht, në mënyrë të pakufizuar, për detyrimet që shoqëria ndërkohë ka marrë përsipër.