Neni 115 - Procedura e themelimit

1. Shoqëritë aksionare, pas miratimit të statutit nga themeluesit, themelohen në përputhje me dispozitat e nenit 106 të këtij ligji. Në statut përcaktohen administratorët e parë dhe anëtarët e parë të këshillit të administrimit apo të këshillit mbikëqyrës. Detyra e këtyre personave përfundon në datën e mbledhjes së parë të asamblesë së përgjithshme.

2. Kontributet në para, sipas pikës 1 të nenit 113 të këtij ligji, shlyhen në një llogari bankare, të përcaktuar sipas parashikimeve të statutit. Shoqëria, së bashku me aplikimin për regjistrim, depoziton pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit dokumentin bankar, që vërteton shlyerjen e kontributit në para.

3. Përfaqësuesi i shoqërisë mund të tërheqë fondet e mbledhura nga kontributet në para vetëm pas regjistrimit të shoqërisë pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit.