KREU II - ZMADHIMI I KAPITALIT ME EMETIM TË AKSIONEVE TË REJA

  • Neni 173 - Kushtet
  • Kapitali i regjistruar i shoqërisë mund të zmadhohet duke emetuar aksione rishtazi, kundrejt kontributeve të reja.

  • Neni 174 - E drejta e parablerjes
  • 1. Aksionarët e shoqërisë kanë të drejtën e parablerjes për aksionet e emetuara rishtazi, në përpjesëtim me pjesën e kapitalit të regjistruar, që përfaqësojnë aksionet e zotëruara prej tyre. Kjo e drejtë duhet të ushtrohet jo më vonë se 20 ditë pas publikimit të parashikuar në nenin 169 të këtij ligji.

    2. Të drejtat e përmendura në pikën 1 të këtij neni mund të kufizohen ose të përjashtohen nga vendimi i asamblesë së përgjithshme për zmadhimin e kapitalit. Administratorët duhet t’i paraqesin asamblesë së përgjithshme një raport, ku të jepen arsyet për kufizimin ose përjashtimin e këtyre të drejtave dhe ku të justifikohet çmimi i emetimit të propozuar. Ky vendim mund të merret vetëm nëse kufizimi ose përjashtimi i të drejtave është publikuar më parë në hapësirën në internet të shoqërisë dhe njoftuar për regjistrim pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit.